Ranieri flet për dy derbi të mëdha në Serie A

Sporti

Ranieri flet për dy derbi të mëdha në Serie A

Më: 10 shkurt 2016 Në ora: 16:06

Juventusi ka rastin që ta merr kryesimin në Serie A, në rast se e mposht Napolin. Derbi i madh italian do të zhvillohet me 14 shkurt (20.45) mes Juventusit dhe Napolit, një sfidë që mban në ankth tifozët e te dyja skuadrave dhe mund të ndryshojë ose jo edhe renditjen. Napoli është lider me 56 pikë, ka dy më tepër se Juventusi që është në vend të dytë pas 24 javësh. Futbollistët e te dyja skuadrave po mbushin bateritë për derbin e madh, por mos të harrojmë se te napolitanët luan edhe mbrojtësi i dëshmuar shqiptar, Elseid Hysaj, një titullar i padiskutueshëm. Trajneri italian, Claudio Ranieri, që po e bën namin me Leicester Cityn në Premier League, ka bërë një analizë para dy derbive të mëdhenj të fundjavës në Serie A: Juventus-Napoli (me 13 shkurt) dhe Fiorentina-Inter (14 shkurt). “Nuk do të jenë sfida vendimtare në asnjë rast. Përballja në Torino do të jetë shumë e bukur.

Napoli është në avantazh prej 2 pikësh, por nga ana tjetër është një ekip shumë luftarak e për më tepër luajnë në fushën e tyre. Edhe Fiorentina e Inter do të kenë të njëjtat mundësi për të marrë vendin e tretë sido që të përfundojë takimi. Nuk janë në momentin më të mirë të sezonit por edhe në Firencë, si në Torino, do të jetë një përballje emocionuese”, tha Ranieri. Trajneri italian flet edhe për ekipin e tij, Leicester Cityn, e cila kryeson me 53 pikë pas 25 javësh. “Kur firmosa, programi ynë ishte i qartë, ishte për t’u ndërtuar kjo skuadër duke e çuar gradualisht në vendet e para. Po jetojmë në një vit të veçantë, ecuria është e më se e kënaqshme edhe për shkak se ekipet e mëdha nuk po mbajnë ritmin, por plani ynë nuk do të ndryshojë vitin e ardhshëm, pavarësisht çka ndodh në fund të sezonit”, tha Ranieri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat