Pritet spektakël në turneun final të IPKO Kupës së Kosovës

Sporti

Pritet spektakël në turneun final të IPKO Kupës së Kosovës

Më: 9 shkurt 2016 Në ora: 15:07

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) së bashku me KB Sigal Prishtinën kanë shpalosur detajet e turneut Final të IPKO Kupës së Kosovës. Sigal Prishtina është organizatore e kësaj ngjarje madhështore, pasi që ditë më parë i ka plotësuar të gjitha kushtet e parashtruara në konkursin e shpallur nga FBK-ja. Të pranishëm në konferencë ishin sekretari i përgjithshëm i FBK-së, Leart Hoxha dhe përfaqësuesi i Sigal Prishtinës, Luan Maloku.

Turneu Final i IPKO Kupës së Kosovës do të zhvillohet më 12 dhe 14 shkurt në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë. Të premten në gjysmëfinalen e parë, e cila do të zhvillohet me fillim nga ora 17.00 do të përballen KB Peja - KB Trepça, kurse ndeshja e dytë gjysmëfinale do të luhet duke filluar nga ora 19.45, ku do të takohen KB Bashkimi – KB Sigal Prishtina. Ndërkaq finalet në të dyja konkurrencat do të zhvillohen të dielën me fillim nga ora 17.00 dhe 19.45.

Në finalen e femrave do të ballafaqohen Prishtina dhe Penza nga Peja. Leart Hoxha, sekretar i përgjithshëm i FBK-së, tha: “Ne si federatë i kemi bërë të gjitha përgatitjet e duhura për këtë ngjarje, e cila për ne është ndër më të rëndësishmet për këtë vit. Kupa e Kosovës po organizohet për herë të parë në Prishtinë që nga viti 2011 dhe ne besojmë se Sigal Prishtina do t’i kryej të gjitha obligimet që i ka në bazë të kontratës dhe do të organizoj këtë ngjarje, e cila besojmë se do të jetë madhështore. Po ashtu ne jemi të bindur se për këto dy ditë do të kemi rastin të shohim basketboll cilësor”. Luan Maloku, përfaqësues i KB Sigal Prishtina, ka thënë:

“Klubi Sigal Prishtina tashmë është dëshmuar për organizime të eventeve të mëdha dhe rasti më i mirë është ai i ‘Final Four’-i të Ligës Ballkanike. Ne premtojmë se do të kujdesemi maksimalisht që gjithçka të shkoj ashtu siç duhet sa i përket organizimit të Turneut Final të Ipko Kupës së Kosovës duke marr parasysh edhe faktin se kjo ngjarje është edhe jetike për Federatën e Basketbollit të Kosovës, kur dihet se gjatë verës Përfaqësuesja e Kosovës do të luaj ndeshjet historike kualifikuese për Kampionatin Evropian. Në Turneun Final do të jenë të pranishëm të gjithë tifozët e ekipeve pjesëmarrëse, të cilëve ju bëjë edhe thirrje për qasje sa më pozitive, pasi ky do të jetë një tjetër test për ne si klub, por edhe për federatën në përgjithësi”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat