Majlinda apo e arta e Parisit: E nisa mbarë!

Sporti

Majlinda apo e arta e Parisit: E nisa mbarë!

Nga: Kemajl Goca Më: 8 shkurt 2016 Në ora: 13:22

Xhudistja e kombëtare së Kosovës, Majlinda Kelmendi (52 kg), bëri paraqitje të jashtëzakonshme në turneun prestigjioz ‘Grand Slam’ në Paris. Krenaria e sportit tonë shkëlqeu në kryeqytetin francez dhe u kthye me medalje të artë. Ajo ishte fantastike në çdo ballafaqim, nuk iu tremb fare qerpiku i syrit, duke i shkatërruar një nga një rivalet me përjashtim të luftës në rrethin e tretë që zgjati 4 minuta.

Majlinda ashtu si di, me mjeshtërinë e saj detyrojë rivalet të dorëzohen para kohe sidomos në finale për 39 sekonda e dërrmoi rumunen, Andreea Chitu. Kampionia e dyfishtë e botës, ishte në formë të jashtëzakonshme dhe la pa tekst mbi 20 mijë shikues që ishin të pranishëm. Majlinda nuk kurseu energjinë e saj, por ishte gjithnjë e më e frikshme për kundërshtaret. Zemër luanesha jonë e filloi me një fitore bindëse, kur e mposhti për 2 minuta e 37 sekonda Ekaterina Guican, pastaj e gjunjëzoi (4 minuta) polaken Agata Perenc.

Në gjysmëfinale Majlinda ishte e shkëlqyeshme dhe për një minutë e tre sekonda e mposhti francezen Annabelle Euranie dhe në finale e deklasoi Chitun. Kampiones së dyfishtë i mjaftuan 39 sekonda për të shkatërruar rumune dhe fitoi medaljen e artë, e cila i sjell 500 pikë të reja olimpike. Majlinda në intervistën ekskluzive për gazetën kombëtare “Bota sot” shprehet se ishte garë e vështirë dhe konkurrencë e fortë në Paris.

“Bota sot”: Majlindë, si po ndjehesh për medaljen e artë të fituar në Paris, në fakt sa ishte vështirë?
Majlinda Kelmendi:
Po ndjehem shumë mirë, sepse viti i kaluar me ka shkuar pak ters, mirëpo këtë vit e nisa mbarë dhe shpresoj të shkoj kështu çdo garë. Gara ishte e vështirë, konkurrenca e fortë, mirëpo kam qenë e qetë dhe e fokusuar, kështu që arrita të bëhem e para.

“Bota sot”: Në finale keni mposhtur njërën nga rivalet më të papërshtatshme, rumunen Andrea Chitu, a keni besuar se do të fitoni për 39 sekonda?
Majlinda Kelmendi:
Garuesen nga Rumania e kam mposhtur gjithmonë sa herë që jemi ndesh, kështu e kam prit që do të fitoj.


“Bota sot”: Mbi 20 mijë shikues në palestrën e Parisit, a ishte një motiv shtesë apo paksa edhe u trembet nga ajo atmosferë drithëruese?

Majlinda Kelmendi: Atmosfera këtu është shumë e mirë, ka shumë shikues, mirëpo mua në momentin kur jam duke u fut në tatami ose duke luftuar nuk më bën shumë përshtypje ha ha ha, thjesht fokusohem në punën time.

“Bota sot”: Të gjitha luftërat i fitove para kohe, po a ishte më e vështira ajo me polaken Agata Perenc në rrethin e tretë?

Majlinda Kelmendi: Nuk është se ishte më e vështirë por ajo garuese vetëm bënte bllok, kështu që ishte e vështirë të realizojë hedhjen.

“Bota sot”: Olimpiadën e keni të sigurt në Rio, a mendoni se jeni në formë më mirë të mundshme?
Majlinda Kelmendi:
Përgatitjet po shkojnë mirë, besoj për më të mirën!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat