Celina: Një ëndërr që e realizova me Manchester Cityn

Sporti

Celina: Një ëndërr që e realizova me Manchester Cityn

Nga: Kemajl Goca Më: 7 shkurt 2016 Në ora: 19:50

Për mua ishte një ëndërr që e realizova, thotë ekskluzivisht për gazetën kombëtare “Bota sot” Bersant Celina, futbollisti shqiptar i Manchester Cityt. Ai të shtunën që e lamë pas u aktivizua në 13 minutat e fundit në vend të David Silvas, por pati paraqitje fantastike. Mesfushori ofensivë, por kur e do nevoja luan edhe në krahë, asistoi në minutën e 87-të kur Sergio Aguero shënoi dhe zvogëlojë humbjen në 1:3 nga Leicester City. Talenti 19-vjeçar, ndryshe anëtar i kombëtares së Kosovës, ishte i lëvizshëm dhe me pasime e tija mjeshtërore disa herë futi në pozicion të pafavorshëm kundërshtarin. Celina në intervistën për gazetën kombëtare “Bota sot” tregon përshtypjet në debutimin e tij në Etihad, ndërsa prindi i tij, Edvari shprehet i emocionuar: “Si prind nuk mund të përshkruaj ndjenjat”.


“Bota sot”: Bersant, u aktivizuat në 13 minutat e fundit për Manchester Cityn, çfarë ndjenja ishin për ju në një atmosferë madhështore në Etihad dhe ndaj liderit të renditjes, Leicester Cityt?
Bersant Celina:
Për mua ishte një ëndërr që u realizua që të debutoj në Etihad para publikut te Cityt, kundër ekipit që momentalisht është i pari në tabelë. Jam shumë i kënaqur.

“Bota sot”: Një paraqitje e shkëlqyeshme e juaj për ato minuta dhe asistove për Sergio Agueron që realizoi gol, cilat ishin ndjenjat e tuaja?
Bersant Celina:
Unë çdo herë mundohem të luaj mirë dhe ne dobi te ekipit, ishim duke e humbur lojën dhe unë bëra atë që duhet. Luajta mirë dhe krijova rastin, njëra prej tyre u realizua në gol.

“Bota sot”: Paraqitja e mirë e juaj po pushton zemrat e tifozëve fanatik të Manchester Cityt, a po e fitoni një besim edhe më të madh në vete?
Bersant Celina:
Unë gjithmonë kam besim në vete.


“Bota sot”: Manchester City lufton për titull, a besoni se në fund do ta përqafoni trofeun?
Bersant Celina:
Duhet të koncentrohemi në lojë dhe t’i fitojmë ndeshjet e ardhshme. Kemi shumë lëndime në ekip dhe do të jetë vështirë me një program shumë të ngjeshur: FA Cup, Premier League dhe Champions League...

“Bota sot”: Në Premier League shumë ekipe luftojnë për titull, kë e sheh kandidat më të fortë: Leicester Cityn, Manchester Cityn, Arsenalin, Manchester Utd apo Tottenhamin?
Bersant Celina:
Manchester City dhe Leicester do të luftojnë deri në fund, njëra prej tyre do të fitojë vendin e parë.

“Bota sot”: Çfarë iu premton tifozëve?
Bersant Celina:
Se çdo herë do të jap 100% nga vetja si në klub ashtu edhe në përfaqësimin e shtetit tonë.

“Bota sot”: Edvar, ju si prind i Bersantit, si e përshkruani momentin kur djali juaj asistoi për gol dhe i gjithë publiku e duartrokiti në Etihad, a ishte një drithërimë në shpirtin tuaj?
Edvar Celina:
Unë si prind nuk mund të përshkruaj ndjenjat që i kishim në ato momente kur Bersanti hyri në lojë, e mandej edhe asistoj, kur të gjithë ishin të dëshpëruar me humbjen e Cityt, ne (shoqja dhe unë) kërcenim prej gëzimit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat