Xhaka me Baselin pa respekt për Luzernin

Sporti

Xhaka me Baselin pa respekt për Luzernin

Nga: Kemajl Goca Më: 7 shkurt 2016 Në ora: 17:57

Taulant Xhaka me kampionin në fuqi, Baselin, e filluan furishëm pjesën e dytë të Kampionatit të Zvicrës. Kampioni në fuqi shkëlqeu me lojë dhe triumfoi me rezultat 3:0 në ballafaqim me ekipin e Luzernit, në kuadër të javës së 19-të. Baseli dëshmoi fuqinë e kampionit dhe madje edhe ka thelluar epërsinë me pikë ndaj vendit të dytë. Luzerni nuk kishte mundësi të sfidojë vendasit që ishin të disponuar për lojë. Bjarnason e nisi serinë e golave kur realizoi në minutën e 50-të. Ky gol i dha edhe më shumë zjarr lojës së kampionit dhe dyfishuan rezultatin përmes Delgados, i cili ishte i pagabueshëm nga penalltia në minutën e 72-të dhe Steffen (85’) vulosi rezultatin 3:0. Luzerni vetëm në 45 minutat e parë ishte rival i denjë, por jo edhe në të dytën. Në pjesën e dytë u aktivizua Jahmir Hyka për Luzernin, por nuk ia dolën të shënojnë as golin e nderit. Baseli kryeson me 46 pikë, ka 12 më tepër se vendi i dytë, Grasshoppers, kurse Luzerni është i katërti me 26 pikë të tubuara.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat