Pendohet Hugo Almeida, rikthehet te Tirana

Sporti

Pendohet Hugo Almeida, rikthehet te Tirana

Më: 7 shkurt 2016 Në ora: 00:44

Një telenovelë e vërtetë ajo që ndodhi me sulmuesin e Tiranës, Hugo Almeida. Gjatë mesditës së të shtunës, lojtari u largua nga bardheblutë, por në mbrëmje gjithçka u kthye ashtu siç ishte.

24 herë kampionët njoftuan se sulmuesi brazilian do të qëndrojë me skuadrën, duke respektuar kontratën e firmosur më 12 janar. Sipas njoftimit të klubit bardheblu, mosmarrëveshja ishte krijuar nga menaxheri i lojtarit.

Fillimisht 30-vjeçari kërkoi me ngulm kthimin në Brazil për arsye familjare. Një kërkesë që prej insistimit disa-ditor të Hugo Almeidas u plotësua nga drejtuesit e Tiranës, të cilët pranuan prishjen konsensuale të kontratës.

Por, pas reflektimit disa-orësh, sulmuesi vendosi ta zgjidhë personalisht çështjen e krijuar nga përfaqësuesi i tij. Almeida kontaktoi drejtuesit e klubit, duke u bërë të ditur se në marrëdhënien me Tiranën do të shmangë menaxherin. Ai kërkoi gjithashtu që të qëndronte në skuadrën e Ilir Dajës dhe të marrë familjen në Shqipëri.

Prej faktit se Hugo Almeida është qendërsulmuesi i vetëm i bardhebluve, klubi vendosi ta rikthente në kontingjent, duke i kërkuar seriozitet në sjelljen në vazhdim.

Lojtari i’u bashkua menjëherë skuadrës në grumbullimin në Shëngjin, për ndeshjen në fushën e Laçit. Prej afrimit te Tirana në merkaton e Janarit, Almeida u aktivizua disa minuta në ndeshjen e Kupës me Flamurtarin dhe luajti si titullar në kampionat përballë Tërbunit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat