Te Nantes ka vend vetëm për një kuqezi

Sporti

Te Nantes ka vend vetëm për një kuqezi

Më: 7 shkurt 2016 Në ora: 00:43

E pazakontë ajo që ndodh te Nantes. Në klubin e Ligue 1 ku militojnë dy lojtarët e Kombëtares, Lorik Cana dhe Ermir Lenjani, në formacion duket se ka vend vetëm për një prej kuqezinjve.

Cana u aktivizua titullar në ndeshjen e barazuar 0-0 në fushën e Toulouse, të vlefshme për javën e 25-rt të kampionatit francez. Ndërkohë, Lenjani qëndroi gjatë gjithë kohës në stol.

Një paraqitje e mirë ajo e kapitenit të Kombëtares, që me eksperiencën e tij i dha garanci mbrojtjes së skuadrës, duke ndihmuar ekipin që të merrte një pikë.

Me këtë rezultat, Nantes ngjitet në vendin e gjashtë në renditje, në kuotën e 36 pikëve, ndërsa regjistroi rezultatin e 11-të pozitiv radhazi, nga të cilët tre fitore dhe tetë barazime.

Kjo është ndeshja e katërt radhazi në Ligue 1, që trajneri Der Zakarian, vendos të alternojë dyshen shqiptare. Nëse në fushë zbret Cana, Lenjani është në stol dhe anasjelltas.

Për herë të fundit dyshja kuqezi ka qenë njëkohësisht në formacion për Nantën, në ndeshjen e 5 Dhjetorit 2015, ku Nantes barazoi 1-1 në fushën e Ajaçio.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat