Sukaj shpëton Partizanin, vetëm 1-1 me Flamurtarin

Sporti

Sukaj shpëton Partizanin, vetëm 1-1 me Flamurtarin

Më: 6 shkurt 2016 Në ora: 22:21

Partizanit nuk i mjaftuan thuasje 100 minuta lojë për të mposhtur Flamurtarin, që luajti më një lojtar më pak që nga minuta e 53-të. Një hap i gabuar i të kuqve në garën për titullin kampion, ndërsa Flamurtari konfirmoi edhe një herë se ka bërë lëvizjet e duhura në mërkaton e janarit. 1-1 përfundoi sfida e “Qemal Stafa” që i la të zhgënjyer tifozët e Partizanit, ndërsa në kampin vlonjat qajnë dy pikët e humbura, me përgjegjës Bruno Telushin, që u tregua i pavëmendshëm me dy ndërhurje krejt të panevojshme në mesin e fushës.

Partizani e nisi vrulshëm takimin, duke krijuar raste të njëpasnjeshme në portën e Halilajt, për të ardhur më pas te minuta e 16-të, që lë shumë vend për diskutim. Në zhvillimet e një goditjeje dënimi të ekzekutuar nga Kalari, Halilaj ndërhyri mbi vijën fatale, topi iu përplas në trup Lacostes dhe iu drejtua sërish rrjetës, por grushtoi sërish Halili, ndoshta këtë herë përtej vijës fatale, por për gjyqtarin Pashaj loja duhej të vazhdonte.

Në minutën e 29 Danilo e dërgoi topin në rrjetë, por sulmuesi ishte në pozicion të parregullt.

Në të 36-ën Canigia gjeti të përgjumur mbrojtjen kuqezi duke qethur shtyllën me një gjuajtje pa shumë pretentime, ndërsa 3 minuta më pas një aksioni model me protagonistë Danilon, Lushtakun dhe Ylli Hoxhën, Flamurtari bëri të heshtte “Qemal Stafa”.

Pjesa e dytë nisi me ndryshime në radhët e të kuqve, me Racic dhe Gomes që mbetën në dhomat e Zhveshjes për Sukajn dhe Torassa.

Në minutën e 53 Bruni Telushi u tregua i pakujdesshëm me një ndërhyrje të gabuar ndaj Mazrekajt, që detyroi Pashajn të nxirrte kartonin e dytë të verdhë për mesfushorin vlonjat. Në epërsi numerike, Partizani e mbylli kundërshtarin në gjysmëfushën e tij, madje në të 57-ën Vila fare pranë portës nuk arriti të godiste. Agostinelli kreu ndërrimin e fundit në të 63 duke hedhur në fushë Ibrahimin për Fejzullahum, ndërsa pak minuta më pas Ramadani përforcoi mbrojtjen me Markun që mori vendin e Kanigias.

Në të 73-ën Batha i dha mundësinë e shënimit Sukajt, por shkodrani goditi jashtë.

Loja u ndërpre për disa minuta pas përplasjes mes Sukajt dhe Halilajt, ndërsa një dyluftim kokë më kokë mes Vilës dhe Pashajt e detyroi sërish gjyqtarin të kërkonte ndihmën e stafeve mjekësore.

Partizani arriti ta gjentë golin e barazimit në minutën e 89-të pas një aksioni perfekt mes Mazrekajt, Kalarit dhe Bathës me këtë të fundit që ia bëri të thjeshtë Sukajt me portën e boshatisur.

8 minuta shtesë të akorduara nga Pashaj nuk i mjaftuan Partizanit për të gjetur golin e barazimit, me tifozët e kuq që u larguan të zhgënjyer nga “Qemal Stafa”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat