Milan, Honda dhe Kucka, sekretet e mesfushës së rilindur

Sporti

Milan, Honda dhe Kucka, sekretet e mesfushës së rilindur

Më: 6 shkurt 2016 Në ora: 21:55

Nga një objekt i panjohur në orbitën kuqezi, japonezi Keisuke Honda ka arritur të fitojë zemrën e tifozëve, por edhe të trajnerit Sinisa Mihajlovic.

Mesfushori aziatik është një titullar i padiskutueshëm në skemat e trajnerit , duke i dhënë një sinjal të qartë edhe klubit aq sa ka detyruar administratorin e deleguar, Adriano Galliani të bëjë një koment. “Honda dëshiron të qëndrojë te Milani dhe ne gjithashtu duam që ai të qëndrojë. Nuk na ka kërkuar asnjëherë të largohet prandaj jemi të gjithë në të njëjtën linjë“, thekson zyrtari i lartë i klubit kuqezi që shuan kështu përfundimisht një polemikë të krijuar disa muaj më parë. Në vijim Galliani thekson se ishte personalisht ai që e kërkoi me çdo kusht japonezin në skuadër. “Ai po punon shumë dhe është një djalë shumë inteligjent. Sakrifikohet shumë dhe mua personalisht më pëlqen shumë si lojtar”, përfundon Galliani. Një tjetër protagonist i Milanit të rilindur është edhe mesfushori sllovak, Juraj Kucka, i cili shprehet i lumtur që skuadra ka arritur të gjejë vazhdimësinë.

“Duam të vazhdojmë në këtë rrugë sepse vendi i tretë është plotësisht i mundshëm për t’u arritur. Mihajlovic ka një dëshirë të madhe për të arritur objektivat dhe mendoj se pas suksesit në derbi kemi fituar shumë besim. Jam shumë i kënaqur që trajneri më beson plotësisht”.

Me dy fitore rresht në derbi dhe në Palermo, Milani ka treguar siguri edhe në fazën mbrojtëse. Kjo ka bërë që entuziazmi në Milanello të rritet.

“Në pjesën e parë të sezonit nuk kishim vazhdimësi. Jam shumë i kënaqur që vendosa të vija këtu pasi po flitej prej kohësh për një transferim tim në Milanello. Milani ka qenë skuadra ime e zemrës që në fëmijëri”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat