Tiranë, Daja: Ta thyejmë Laçin për të synuar Europën

Sporti

Tiranë, Daja: Ta thyejmë Laçin për të synuar Europën

Më: 6 shkurt 2016 Në ora: 21:53

Transferta e Laçit është ndalesa e radhës për Tiranën që e ka nisur vitin 2016 me dy fitore.

Trajneri i skuadrës bardheblu, Ilir Daja shprehet optimist për sfidën e së dielës. Në konferencën për shtyp, ai u ndal gjatë te analiza e ndeshjes kundër kubinasve, duke theksuar se Laçi është një kundërshtar i vështirë por grupi i drejtuar prej tij do të luftojë për të dalë me 3 pikë nga fusha kurbinase. Në vijim, Daja shtoi se tabuja e fushës së Laçit duhet thyer dhe testi i së dielës do të jetë shumë i rëndësishëm në këtë aspekt.

“E vlerësoj grupin që ka ruajtur Laçi që prej disa sezonesh. E njohin shumë mirë lojën e njëri tjetrit. Takimet në shtëpi janë më konkretë dhe kjo e shton shkallën e vështirësisë por ne kemi cilësi dhe ajo që është më e rëndësishme është fakti se të gjithë luajnë në funksion të lojës së grupit”.

Largimi i James e ka dobësuar skuadrën e Stavri Nicës, por trajneri kryeqytetas nuk është dakort me këtë fakt, duke theksuar se kurbinasit kanë një grup të bashkuar dhe largimi i një lojtari nuk e prish harmoninë e grupit të tyre.

“Ka dy anë të medaljes sepse kur ikën një lojtar titullar, krijon vakum, por ka edhe anën pozitive sepse ndoshta e gjithë loja e Laçit ishte e fokusuar te James dhe ky lojtar mund të markohej. Me largimin e tij mund të kenë një hapësirë më të madhe për ta shpërndarë më shumë lojën”.

I pyetur nëse në Laç, Tirana do të luajë e kujdesshme në mbrojtje si në transfertën e Vlorës apo do t’i kushtojë vëmendje sulmit si në Pukë, Daja u përgjigj.

“Natyrshëm që do të shkojmë në Laç për të luajtur si në Vlorë duke u kujdesur për mbrojtjen dhe për të dalë me kundërsulme të shpejta. Do të jemi shumë të kujdesshëm, pra kjo ndeshje do t’i ngjajë më shumë transfertës së Vlorës”.

Trajneri i Tiranës e pranoi se është i kënaqur me atë që lojtarët kanë treguar në fushë nën drejtimin e tij, por premtoi se skuadra bardheblu do të punojë për t’u rritur edhe më shumë.

“Gjërat vijnë gradualisht dhe shpresojmë që të rritemi më shumë. Falënderoj të gjithë lojtarët që janë përkushtuar maksimalisht. Duke na u shtuar edhe lojtarë të tjerë në ekip, mendojmë të bëjmë më mirë se çfarë kemi bërë”.

Në fund, edhe pse nuk pranoi të ndalej gjatë në çështjen e gjykimit të sfidës, Daja kërkoi që arbitri të tregohet i kujdesshëm për të mos lejuar lojën e rëndë, duke e pranuar se Laçi është një ekip agresiv pasi të tillë ka stilin e lojës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat