PSG frenohet pas 9 fitoreve, barazon edhe Lyoni

Sporti

PSG frenohet pas 9 fitoreve, barazon edhe Lyoni

Më: 2 dhjetor 2015 Në ora: 07:52

Paris Saint Germain u frenua në barazim pa gola në fushën e Angers. Edhe pse në letër ishin favoritë, kampionët e Francës vuajtën në sfidën që hapi javën e 16-të të Ligue 1.

Një sfidë e karakterizuar nga mungesa e fatit për parizienët, që vetëm pas pesë minutave lojë goditën shtyllën me Edinson Cavanin, i cili ishte i pafat në devijimin me kokë. Por, meritë kishte edhe Angers që provoi shanset e saj dhe ishte shumë pranë golit në të 38-ën me Billy Ketkeophomphone, goditja me kokë e të cilit u përplas në traversë.

Vendasit rrezikuan edhe në startin e pjesës së dytë me Ndoye, që gjeti reagimin e shkëlqyer të portierit të PSG, Kevin Trapp. Goli i fitores për të besuarit e Laurent Blanc mund të ishte shënuar nga Edinson Cavani, me topin që përfundoi vetëm pak centimetra jashtë portës. Edhe vendasit e kërkuan suksesin deri në fund me Arnold Bouka Moutou, goditja e të cilit nuk ishte e kalibruar si duhet.

Në fund, Paris Saint Germanin i duhet të kënaqet me një pikë, duke i dhënë fund ecurisë me 8 fitore radhazi në kampionat. Ekipi nga kryeqyteti francez barazoi për të tretën herë në këtë sezon, në një mbrëmje historike në “Stade Jean Bouin”. PSG ngjitet në kuotën e 42 pikëve dhe kanë 14 më tepër se Caen e vendit të dytë, që ka një ndeshje më pak.

Pa gola përfundoi edhe sfida ndërmjet Nantes dhe Lyon. Në këtë sfidë, trajneri Der Zakarian vendosi të linte pushim kapitenin e Shqipërisë, Lorik Cana, që është aktivizuar pa ndërprerje.

Në fushë përgjatë gjithë 90 minutëshit kuqeziu tjetër, Ermir Lenjani, që zhvilloi një paraqitje në nivel të kënaqshëm, po pa arritur ta ndihmonte ekipin e tij të kthehej te fitorja pas tre ndeshjeve.

Pika e marrë pas dy disfatave radhazi e ngjit Nantes përkohësisht në vendin e dhjetë në renditje me 21 pikë, ndërsa Lyon pozicionohet i katërti me 26 pikë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat