Spastrime te Vllaznia, ikin Haxhaj e Lushtaku

Sporti

Spastrime te Vllaznia, ikin Haxhaj e Lushtaku

Më: 2 dhjetor 2015 Në ora: 07:50

Jo vetëm problemet financiare.

Në ecurinë e dobët të Vllaznisë, që renditet e parafundit në Kategorinë Superiore dhe mbetet në luftën për mbijetesë, ndikoi edhe merkato e pastudiuar. Lojtarë me kosto të ulët të afruar për të plotësuar kontingjentin, duke bërë që merkato e verës të cilësohet e dështuar. Për të rikuperuar diçka në hapjen e afatit të transferimeve gjatë muajit Janar, në Shkodër nisën punën për “spastrimet”. Të parët që largohen nga Vllaznia janë dy futbollistët kosovarë, Adnan Haxhaj dhe Kreshnik Lushtaku. Klubi njoftoi prishjen e parakohëshme të kontratave me lojtarët, që nga ana e tyre ishin dakord për të mbyllur aventurën te kuqeblutë.

Asnjë prej tyre nuk arriti të shndërrohej në element të rëndësishëm te kuqeblutë. Mbrojtësi Haxhaj është aktivizar vetëm në gjashtë ndeshje gjatë këtij sezoni, duke mos lënë gjurmë. I afruar me pritshmëri të mëdha nga skuadra e Prishtinës, 27-vjeçari jo vetëm që e humbi vendin në formacion prej javëve të para, por përfundoi edhe në ekipin B të Vllaznisë.

Edhe më enigmatike aventura e 20-vjeçarit Lushtaku, i afruar nga Trepça ’89, por që në total regjistroi vetëm dy aktivizime në kampionat. Në fillim të sezonit klubi firmosi kontratë 2-vjeçare me mesfushorin, që zbarkoi në Shkodër me etiketimin si një talent me të ardhme të madhe. Prishja e kontratës me Haxhaj-n dhe Lushtakun erdhi pasi gjatë këtyre javëve, lojtarët nuk janë grumbulluar në skuadër për ndeshjet në kampionat. Ata u bën të parët që prishën kontratat, në një seri largimesh që pritet të vazhdojnë te Vllaznia.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat