FSHF nuk pranon kushtet e Këshillit Bashkiak

Sporti

FSHF nuk pranon kushtet e Këshillit Bashkiak

Më: 2 dhjetor 2015 Në ora: 07:49

Pas zvarritjeve disa-mujore dhe ngërçit në negociatat mes palëve, kthehet çështja e rindërtimit të Loro Boriçit. Ecuria e punimeve në impiantin e ri në Shkodër është vënë në dyshim, prej mosmarrëveshjeve të Federatës Shqiptare të Futbollit me Këshillin Bashkiak të qytetit të Shkodrës.

Ndërsa pritej nënshkrimi i kontratës për stadiumin ku punimet po ecin prej muajsh me rritme të ngadalta, FSHF nuk ka pranuar asnjë prej pikave të propozuara nga komisioni ad-hoc i ngritur nga Këshilli Bashkiak i kryeqendrës së veriut.

Në tre mbledhjet e zhvilluara, jo vetëm që nuk u formulua asnjë ndryshim nga propozimet e paraqitura deri më tani nga Bashkia, por u vendosën edhe kushte të tjera. Pika e parë, e hedhur poshtë nga federata ishte ulja e kohëzgjatjes së kontratës për shfrytëzimin e Loro Boriçit nga 20, në vetëm 15 vjet.

Tjetër propozim i refuzuar nga FSHF lidhet me pikën ku parashikohet penalitet në rast të mos dorëzimit të objektit në afatet e përcaktuara sipas kontratës. Sipas propozimit të komisionit ad-hoc, federata duhet të paguajë gjobë në vlerën 0,025 për qind mbi vlerën e përgjithshme të investimit, për çdo ditë vonesë.

Tani diskutimi do të spostohet në Këshillin Bashkiak të Shkodrës, në mbledhjen e parashikuar të zhvillohet më 4 Dhjetor. Prej dy muajsh, Bashkia e qytetit i ka pramtuar krerëve të federatës firmosjen e kontratës.

Gjetja e një zgjidhje që do ti hape rrugën punimeve normale në rindërtimin e stadiumit Loro Boriçi, ndërsa në Federatën e Futbollit janë optimistë se gjithçka do të zgjidhet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat