Merr fund aventura europiane për Prishtinën

Sporti

Merr fund aventura europiane për Prishtinën

Nga: Kemajl Goca Më: 1 dhjetor 2015 Në ora: 20:50

Sigal Prishtina i thotë lamtumirë garave europiane. Kampioni i Ligës Ballkanike dhe i Kosovës nuk ia doli ta mposht ekipin nga Qipro, AEK Larnaca, që më pas të shpresonte në humbjen e Astanës nga Energia dhe ta siguronte vizën për në fazën tjetër të FIBA Europe Cup.

Bardhekaltrit pësuan humbje me rezultat 83:70 (16:27, 17:22, 23:13, 14:21) nga AEK-u, në xhiron e fundit të grupit K në basketboll. Prishtina e përfundoi aventurën europiane, duke e zënë vendin e fundit në grup me 8 pikë, kurse AEK së bashku me Energia Rovinarin nga Rumania kalojnë në fazën tjetër, pasi që ekipi qipriot e ka rezultatin e ndërsjellë më të mirë se Astana.

Basketbollisti Dardan Berisha ka qenë më efikasi me 23 pikë te Sigal Prishtina, ndërsa te mysafirët amerikani Thaddus Mcfadden me gjithsej 29 pikë. Në Qendrën e Rinisë dhe të Sportit në Prishtinë, ka qenë një atmosferë fantastike, ku ishin rreth 2000 shikues, sidomos "Plisat" i dhanë përkrahje të madhe bardhekaltërve, por nuk iu shkoi ndoresh, ngase hasën në një rival shumë të fortë.

Fundja, qe një përvojë e mirë për Prishtinën, e cila nga gjashtë ndeshje pati dy fitore e katër humbje dhe ishte një skuadër e denjë për kundërshtarët. Mysafirët që nga çereku i parë u treguan më të fortë, më të saktë, ndërsa Prishtina u përpoq me forcën e saj, por ishte vështirë të thyhet kundërshtari. Në çerekun e parë mysafirët krijuan epërsi deri në 11 pikë (16:27), e cila u thellua deri në 16 sosh (33:49) në minutën e 20-të.

Në çerekun e tretë Prishtina bëri lojë shumë të mirë, ishin shumë më të frytshëm dhe e futën në një moment në presion AEK-un. Në saje të lojës së mirë, saktësisë e ngushtuan epërsinë deri në 6 pikë (56:62) pikërisht në në minutën e 30-të, pastaj edhe në tri pikë (62:65) katër minuta pa përfunduar takimi.

Mirëpo, mysafirët u shtrënguan në mbrojtje dhe nuk lejuan përmbysjen e epërsisë së tyre. McFadden ishte jashtëzakonisht i mirë, i ndihmuar edhe nga Brezec me 22 pikë, ishin të pakapshëm për mbrojtjen e prishtinasve.

AEK triumfon me 13 pikë dallim (83:70) dhe siguron biletën për më tutje. Kjo ishte humbja e dytë e Prishtinës nga AEK-u, pasi që më 11 nëntor patën humb në Larnaca me 101:84. "E kemi ditur se do të jetë vështirë, e ngushtuam epërsinë deri në tri pikë, por u ngutëm në sulm, bënë disa gabime dhe rivali ishte më i përqendruar në fund, duke fituar me meritë.

Ky ishte viti i parë që marrim pjesë në garat europiane dhe nuk duhet të dëshpërohemi", tha mes të tjerë Edmond Azemi, kapiten i Sigal Prishtinës.

S. Prishtina-AEK 70:83

(16:27, 17:22, 23:13, 14:21)

Qendra e Rinisë dhe e Sportit, Prishtinë.

Shikues: 2.000.

Pesë gabime: Gilling

Sigal Prishtina: Kaçaniku, Azemi 6, Peci, Berisha 23, Sinani 2, Marinov 12, ëashburn, Morina 9, Abukar 11, K. El-Amin 5, Mazreku 2 dhe Hasani.

AEK: Palalas 5, Leontiou, Broën 15, Brezec 22, Kilaras, Petroviq 2, McFadden 29, Roundy, Trisokkas 5, Gilling 3 dhe Panteli 2.

Grupi K

S. Prishtina-AEK 79:83

Sot

Astana-Energia

Tabela

1. Energia 5 4 1 9
2. AEK 6 3 3 9
3. S. Prishtina 6 2 4 8
4. Astana 5 2 3 7

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat