Feronikeli nga Drenasi për shkak të fushës së suspenduar për një ndeshje, sfidën e fundit të pjesës vjeshtore (ndeshjen e mbetur të javës së 17-të) është i detyruar ta luajë në stadiumin “Shahin Haxhiislami” në Pejë, kundër Hajvalisë. Kampioni në fuqi do të luajë larg tifozëve të tyre, por shpreson se do ta përmbyllin me fitore edicionin vjeshtor në Raiffeisen Superligën e Kosovës në futboll. Hajvalia është në formë të mirë dhe udhëton për tri pikë në Pejë, që ta barazohet me pikë me liderin. Ekipi nga Drenasi është optimist se do t’i fitojnë pikët e plota, pasi që mendojnë se kanë futbollistë më të mirë se rivali.
Feronikeli pas barazimit (1:1) me Gjilanin, synon tani që t’i kthehet fitoreve dhe të shkëputet edhe më lart në renditje. Feronikeli është në krye me 30 pikë, ndërsa Hajvalia mban vendin e katërt me 27 pikë. Karakteristikë është se Hajvalia plotë gjashtë javët e fundit nuk njeh humbje (3 fitore e 3 barazime) dhe kërkon me fitore ta përmbyll vjeshtën. Përballja mes Feronikelit dhe Hajvalisë do të zhvillohet nesër në orën 13.00.
Futbollisti i Feronikelit, Behar Maliqi, beson se do ta përmbyllin me epërsi trepikëshe nga vendi i dytë, Llapi. Ai mendon se fusha në Pejë është shumë e mirë dhe që iu jep mundësi për të shtruar edhe lojën e tyre. “Jemi të përgatitur , e dimë rëndësinë e ndeshjes, sepse edhe kundërshtari është i fortë. Besoj që ta përmbyllim në mënyrën më të mirë - me fitore. Mbi të gjitha synojmë që të jetë një lojë e mirë dhe t’i kënaqim shikuesit”, tha Maliqi për gazetën kombëtare “Bota sot”.
“Forca e ekipit tonë është loja kolektive”, theksoi ai. A do të jetë vështirë, pasi luani në Pejë si vendas dhe jo në Drenas? “Nuk mendoj se është vështirë, sepse fusha është e mirë, gjitha kushtet kanë me qenë për lojë dhe aty le të fiton cili është më i mirë. Prandaj, besojmë në fitore”, shpreh optimizmin Maliqi. A besoni se do të dimëroni me tri pikë epërsi nga vendi i dytë, Llapi?
(Tekstin e plotë mund ta lexoni të mërkurën në publikimin e shtypur të gazetës kombëtare “Bota sot” në Kosovë dhe në diasporë)