Shënon më shumë se Messi dhe Ronaldo, Milani e shiti për 2 milionë euro

Sporti

Shënon më shumë se Messi dhe Ronaldo, Milani e shiti për 2 milionë euro

Më: 1 dhjetor 2015 Në ora: 09:09

Dy golat e fundit të shënuar nga Pierre-Emerick Aubameyang japin një ide më të qartë të talentit të tij: një goditje parabël me të djathtën për të shmangur daljen e portierit; shpërthim me topin në këmbë për të kaluar mbrojtësin dhe një goditje diagonale me të majtën. Nëse do të blini FIFA 16 dhe do të zgjidhni Borussia Dortmund, do ta shini përsëri duke festuar me maskën e Sipeder-Man.

Sot, pas 25 golash në 22 ndeshje, nuk ka më nevojë të vendosë një maskë sepse sot heroi është vetëm ai. Dygolëshi i realizuar në fitoren 4-1 kundër Stuttgart i ka dhuruar Aubameyang një rekord të vogël personal: 25 gola në një sezon i ka realizuar vetëm vitin e kaluar. Tani ka kapur veten brenda muajit nëntor, duke kaluar të gjithë të tjerët. Në renditjen e Këpucës së Artë, ku llogariten vetëm golat e realizuar në kampionat, sulmuesi i Dortmundit kryeson me 34 pikë, fryt i 17 realizimeve që shumëzohen për dy pasi ky është koeficienti i Bundesligës.

Nga Alex Teixeira (Shakhtar) te Towell (Dundalk) ka nga ata që kanë shënuar më shumë, por askush nuk ka arritur ta bëjë këtë në kampionatet kryesore europiane, as Lewandowski (14 gola), as Neymar, Suarez dhe Cristiano Ronaldo, as Ibrahimovic apo Higuain. Rreth një muaj më parë, gjatë një interviste për “L’Equipe”, Aubameyang i ka zbuluar botës ambiciet e tij: “Nëse Cristiano Ronaldo mund të shënoj 50 gola në një sezon, pse të mos e bëj edhe unë? Duhet të vazhdoj përpara duke i thënë vetes se mund të bëhem si Ronaldo dhe Messi”.

Fakti që mesatarja aktuale e golave për ndeshje shkon në drejtimin e dy kampionëve të përmendur nga Aubameyang, natyrisht nuk mjafton për ta konsideruar në nivelin e tyre, edhe pse ka shpërthyer në moshën 26 vjeç dhe deri para pak kohësh tërhiqte vëmendjen vetëm për koleksionin e makinave luksoze Porsche, Lamborghini, Ferrari dhe një McLaren me 570 kuaj fuqi me të cilën bënte xhiro në rrugët e Dortmundit. Ngjitja e tij ka filluar me Klopp, aq sa në vitin 2015 është në kuotën e 39 golave: ato të sezonit të kaluar kanë ndihmuar Borussian të sigurojë një vend në Europë.

Ndoshta nuk mjaftojnë për ta krahasuar me Messin, por i mjaftojnë tifozëve të Milanit, dhe ndoshta drejtuesve, për t’u penduar: djaloshi nga Gaboni, që synon të fitojë Topin e Artë afrikan, është rritur te ekipi i moshave i kuqezinjve, por nuk ka luajtur asnjëherë me ekipin e parë, me përjashtim të një ndeshjeje në Torfeun Berlusconi, ku edhe ka shënuar. Galliani e ka shitur te St Etienne për 2 milionë euro, ndërsa Dortmund e ka blerë në verën e 2013-ës për 15 milionë dhe i ka thënë jo Arsenalit verën e kaluar. Tani ka një thesar që vlen 60 milionë. Kuqezinjtë mund të ngushëllohen me Niang, i cili mund të kishte pasur të njëjtin fund, por fatmirësisht është akoma me “Djallin”. /Telesport

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat