Tirana kundër “mallkimit” të ditës së hënë

Sporti

Tirana kundër “mallkimit” të ditës së hënë

Më: 30 nëntor 2015 Në ora: 07:53

Spostimi për të hënën, i supërsfidës së javës së 13-të të Kategorisë Superiore, ndërmjet Tiranës dhe Skënderbeut shkaktoi përshtjellim te tifozët bardheblu. Të shumtë ishin zërat kundër, për një duel kaq i rëndësishëm, që mbi të gjitha përkon me inaugurimin e stadiumit Selman Stërmasi të luhet në fillim të javës.

Por, ndeshjet në ditë të tilla janë kthyer në diçka të zakonshme për 24-herë kampionët gjatë kësaj dekade. Gjithsesi, ajo që duhet ti tremben më tepër tifozët bardheblu është fakti se e hëna është një tabu. Plot 18 ndeshje të luajtura në fillim të javës, por ku janë arritur vetëm 4 fitore në total. Rezultatet e tjera janë 5 barazime dhe 9 humbje.

Tirana i ka luajtur ndeshjet pas fundjavës prej shtatë sezonesh tashmë. Duke nisur nga 30 Nëntori 2009, kur fituan 0-2 në Vlorë me Flamurtarin. Më pas derbi i humbur 1-2 në shtëpi përballë Dinamos me 25 Janar 2010. Pikërisht aty nisi seria e gjatë negative. 11-metërshit të Muzakës, dinamovitët iu përgjigjën me golat e Malakarne dhe Elis Bakaj.

Sezoni 2010-2011 përbën edhe një rekord për Tiranën, që ditën e hënë zhvilloi plot 8 ndeshje. Në total bardheblutë regjistruan vetëm dy fitore dhe dy barazime mes të cilëve 1-1 në derbin e 18 Tetorit 2010 me Dinamon. Disfatat në katër ndeshjet e tjera u shkaktuan nga Teuta, Skënderbeu dhe në dy raste nga Besa.

Në edicionin 2011-’12 Tirana nuk fitoi asnjë nga tre ndeshjet e luajtura të hënën. Pas dy humbjeve me Teutën dhe Shkumbinin, erdhi barazimi pa gola me Vllazninë në shtëpi.

Pas dy sezoneve në normalitet, Tirana iu kthye ndeshjeve të luajtura të hënën gjatë edicionit të kaluar. Fillimisht me derbin e humbur 2-0 më Partizanin më 8 dhjetor 2014, të cilit “Sky Italia” i dedikoi edhe një speciale. Më pas u regjistruan barazimi pa gola në fushën e Teutës (16 mars 2015) dhe barazimi 2-2 në derbin e fundit sezonal ndaj Partizanit (4 maj 2015).

Gjatë këtij sezoni, Tirana ka zhvilluar dy ndeshje të hënën. E para pikërisht përballë Skënderbeut në Korçë, më 21 Shtator, ku bardheblutë u mposhtën 2-1. Ndeshja tjetër është ajo e javës së kaluar, ku bardheblutë fituan 0-1 në fushën e Bylisit, me supergolin e Elis Bakajt. Përballë Skënderbeut, Tirana kërkon të vijojë serinë pozitive, pas 3 fitoreve dhe një barazimi në 4 ndeshjet e fundit, por edhe të prishë mallkimin e së hënës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat