Napoli për rekordin e Bigon me 18 rezultate pozitive

Sporti

Napoli për rekordin e Bigon me 18 rezultate pozitive

Më: 30 nëntor 2015 Në ora: 07:51

Një fitore me Interin për tu ngjitur në vendin e parë të Serisë A. Ose të paktën barazim, për të arritur një rekord. Këto janë dy objektivat e Napolit të Sarrit, për sfidën ndaj zikaltërve. Me një sukses, të kaltërit do ta shohnin veten në krye të renditjes, por nëse dalin pa humbje nga dueli me rivalët direkt për titull, do të shkruanin një faqe të historisë.

Një rezultat pozitiv përballë Interit do të rriste ecurinë pa humbje mes kampionatit dhe Europa League në 18 ndeshje radhazi. Arritje që për herë të fundit në San Paolo është realizuar nga skuadra e drejtuar nga Bigon, në sezonin 1989/90 dhe që në fund u kurorëzua me fitimin e titullit.

Pas disfatës me Sassuolo-n në javën e parë të Serisë A, të besuarit e Sarrit nuk kanë gabuar më. Pak gola të pësuar dhe rezultate pozitive përballë të gjithë rivalëve të mëdhenj: nga Juventusi te Lazio, për të vazhduar me Milanin dhe Fiorentinën.

Për të ulur disi tensionin në prag të sfidës me Interin, stafi teknik vendosi që ti lejojë futbollistët ta kalojnë natën përpara ndeshjes pranë familjeve. Përsa i takon formacionit, dyshimet janë të pakëta me të gjithë titullarët që do të kthehen në fushë. Nga Reina te Koulibaly, por edhe Higuain e Insigne. Mungesat e vetme, janë të dëmtuarit Mertens dhe Gabbiadini.

Përballë Interit, në San Paolo do të vendoset një rekord sezonal përsa i takon tifozëve të pranishëm, me të paktën 50 mijë spektatorë në tribuna. Prej interesit që paraqet supersfida e Serisë A stadiumi do të jetë i blinduar. Njëmijë agjentë policie, por edhe qentë anti-eksploziv do të përdoren për kontrollet e imtësishme përpara hyrjes në impiant, ndërsa 600 forca sigurie do të kujdesën për publikun në tribuna.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat