Rosberg fiton, Hamilton feston titullin

Sporti

Rosberg fiton, Hamilton feston titullin

Më: 29 nëntor 2015 Në ora: 17:00

Piloti i Mercedesit, Nico Rosberg, ka fituar garën e Çmimit të Madh të Abu Dhabit, sfida e fundit sezonale e Botërorit të Formula 1, duke korrur suksesin e tretë radhazi, të 6-in këtë sezon. Kjo është hera e parë që Rosberg fiton në këtë pistë. Një garë e komanduar nga piloti gjerman i Mercedes, që e nisi atë nga vendi i parë dhe e mbylli në krye, duke mos hasur shumë rivalitet nga pilotët e tjerë.

As nga shoku i skuadrës Lewis Hamilton, që u rendit i dyti në pistën e “Yas Marina”. Rosberg ka dalë fitues në tri sfidat e fundit, duke konfirmuar rritjen, por fitoret kanë mbetur për statistikë, pasi titulli kampion është në duart e Hamilton.

Në vendin e tretë u rendit Kimi Raikkonen me Ferrari, që dueloi më vete gjatë gjithë kohës, duke lënë pas shokun e skuadrës Sebastian Vettel. Piloti gjerman, falë një strategjie të mirë, arriti të rikuperojë 11 pozicione dhe të renditet i katërti pasi e nisi garën nga vendi i 15-të, raporton telesport.

Në vendin e pestë u rendit Sergio Perez me Force India, në një garë të mirë, ndërkohë që deri në vendin e dhjetë u renditën njëri pas tjetrit Daniel Ricciardo (Red Bull), Nico Hulkenberg (Force India), Felipe Massa (Williams), Romain Grosjean (Lotus) dhe Daniil Kvyat (Red Bull). Hamilton feston titullin e kampionit, i treti rresht.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat