Mundja shpall kampionët për të rritur

Sporti

Mundja shpall kampionët për të rritur

Më: 29 nëntor 2015 Në ora: 08:04

Mundja shpall kampionët kombëtarë në disiplinat dhe peshat e ndryshme. Në Pallatin e Sportit, Asllan Rusi u zhvillua kampionati kombëtar për të rritur, evenimenti që mbylli edhe vitin e trazuar të mundjes shqiptare.

Dhjetëra sportistët pjesëmarrës dueluan për disa orë në tapet, duke nxjerrë në fund edhe kampionët. Në stilin e lirë spikati suksesi i Egzon Shalës në peshën deri në 125 kg, që u konfirmua si kampion i Shqipërisë.

Mundësi bardheblu ishte një nga pesë sportistët e Tiranës që triumfuan në tetë pesha në konkurrimin e stilit të lirë. Dominimi absolut bëri që ekipi kryeqytetas të shpallej edhe kampion, duke fituar renditjen ekipore me 30 pikë, e ndjekur nga Teuta dhe Vllaznia. Gjithsesi mundësi më i mirë u vlerësuar Haxhi Sina i Teutës, pas suksesit në peshën deri në 57 kg.

Edhe stili klasik u dominua nga një skuadër, por që këtë herë mban emrin e Tomorit. Ekipi beratas shpalli tre kampionë në tetë peshat për të cilat u konkurrua dhe e mbylli renditjen ekipore në krye.

Mundësi më i mirë u vlerësua Dritan Therepeli i Tomorit në peshën 71 kg. Federata e Mundjes dhe presidenti Martin Biba mbajtën premtimin e dhënë, duke organizuar Kampionatin Kombëtar për të rritur pavarësisht bllokimit të grantit nga Ministria e Arsimit dhe Sporteve. Ky fakt bëri që mundja kuqezi të tërhiqej nga Kampionatet Europiane dhe Botërore për Kadetë dhe Junior, ndërsa rrezikoi edhe Botërorin për të rritur që u zhvillua në Las Vegas në mesin e muajit Shtator.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat