Tërbuni, shkarkon trajnerin Gargano dhe të gjithë stafin

Sporti

Tërbuni, shkarkon trajnerin Gargano dhe të gjithë stafin

Më: 29 nëntor 2015 Në ora: 08:02

“Unë besoj dhe ne të gjithë jemi të bindur se do të mbijetojmë. Jam i sigurt pasi skuadra është, ka kurajo, zemër, dhe nëse rregullojmë disa gjëra taktikisht do t’ia dalim”,- ishte deklarata e Luigi Gargano.

Deklarata ishte bërë një muaj më parë, në rikthimin e dytë të Luigi Garganos në stolin e Tërbunit. Por, ai që nuk mbijetoi te debutuesit historikë në elitën e futbollit shqiptar ishte pikërisht trajneri.

Pas disfatës 0-1 me Teutën në javën e 13-të të Kategorisë Superiore, erdhi furtuna nga drejtuesit e klubit në Pukë, që largoi të gjithë stafin teknik. Tekniku Gargano me zëvendësin e tij, Eduart Tanushi, por edhe drejtori sportiv, Alket Kruja u shkarkuan nga detyra.

Masa u konfirmua në mbledhjen urgjente që u zhvillua me ekipin menjëherë pas humbjes me Teutën, ndërsa argumenti i dhënë për largimin është mungesa e rezultateve.

Klubi i Tërbunit njoftoi se drejtimi i stolit i’u besua Viktor Gjonit, ish-futbollist dhe ish-trajner i Tërbunit.

Aventura e Luigi Garganos në Kategorinë Superiore zgjati vetëm 6 javë, ku arriti të grumbullonte 4 pikë. Italiani me pasaportë të Republikës Domenikane debutoi më 25 Tetor, në sfidën e humbur 1-0 në fushën e Kukësit.

Më pas erdhi barazii surprizë 1-1 me Laçin, që krijoi idenë e një pike kthese. Por, entuziazmi u venit shpejt, me humbjen përballë Tiranës, ndërsa e vetmja fitore e teknikut, ajo 4-2 përballë Bylisit më 18 Nëntor u damkos nga akuzat për trukim, me çështjen që po shqyrtohet nga Komisioni i Etikës.

Dy humbjet radhazi, 4-0 me Skënderbeun në Korçë dhe disfata e fundit 0-1 në Pukë me Teutën sollën shkarkimin e Garganos. Në mes është edhe eliminimi i vulosur nga Flamurtari në Kupën e Shqipërisë, ku pas humbjes 0-1 në shtëpi, Tërbuni u shpartallua 5-0 në Vlorë. Tërbuni vazhdon të jetë në fundin e renditjes në kampionat, me 7 pikë në 13 javë të luajtura.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat