Në Gjakovë hapet ekspozita me fotografi e KF Vëllaznimi

Sporti

Në Gjakovë hapet ekspozita me fotografi e KF Vëllaznimi

Më: 28 nëntor 2015 Në ora: 14:45

Nëntori, me organizime të ndryshme të Komunës së Gjakovës, ka pasur edhe një realizim mjaft interesant në ditën e sotme, e cila ka të bëjë me sportin, konkretisht futbollin si sport më i popullarizuar.

Në ambientet e Qendrës Tregtare “Nertili”, është hapur ekspozita me fotografi të periudhave të ndryshme të klubit emblematik të qytetit, Vëllaznimi, ku pos fotove të futbollistëve është ekspozuar edhe fotoja e Faik Dushit, që në Gjakovë njihet si personi i cili e ka sjellur i pari topin e futbollit në këtë qytet. Artan Muhaxhiri, anëtar i kryesisë së klubit, në hapje të ekspozitës ka theksuar se për shkak të frekuentimit të madh, kjo ekspozitë realizohet në këtë ambient, ku duhet falënderuar familjet Komoni, Rraci, Dushi dhe të tjerat, pa ndihmën e të cilëve nuk do të mund të hapej kjo ekspozitë, bënë të ditur zyra për informim e Komunës së Gjakovës.

Sipas komunikatëw, ekspozita është emërtuar “Një histori kuq e zi-Vëllaznimi 1927”, ka qenë mbresëlënëse edhe për Selajdin Salihun, kryetarin e KF Kosova nga Gjeneva, i cili ka pohuar se kjo është një shenjë e mirë se Gjakova po e ruan traditën shqiptare.

Ndërkaq, Xhafer Halilosmani, ish futbollisti i shquar i këtij klubi dhe që i përkiste gjeneratave ndër më të mira që klubi ka patur në historikun e saj, ka veçuar se kjo mundësi u sjellë kënaqësi gjithë adhuruesve të futbollit, ndërkohë që është edhe në shërbim të gjeneratave të reja.Kurse, Ardian Kozniku, njëri ndër legjenat e futbollit kosovar, që karrierën e nisi në klubin e “kuqezinjëve”, i cili kishte ardhur nga Kroacia, është shprehur i entuziazmuar për atë që ka parë në ekspozitë. Ish futbollisti dhe aktualisht trainer, Genc Hoxha ka vlerësuar se kjo ekspozitë dëshmon për traditën dhe kontributin kolosal të Vëllaznimit dhënë futbollit kosovar e më gjerë, thuhet ne komunikatë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat