Duelet kryesore të së shtunës në futbollin evropian

Sporti

Duelet kryesore të së shtunës në futbollin evropian

Më: 28 nëntor 2015 Në ora: 10:38

Spanja zbret në fushë dy skuadrat e para të klasifikimit që do të duelojnë në distancë për të konsumuar një tjetër raund. Barcelona ka një test të lehtë në “Camp Nou” ku pret baskët e Real Sociedad.
Suksesi në El Clasico dhe goleada në Champions League me rikthimin e Messit janë një dozë e fortë morali për djemtë e Luis Enriques që do të kërkojnë ta çojnë përkohësisht në +9 diferencën nga Reali i Madridit. Argjentinasi do të luajë që nga minuta e parë në repartin e sulmit bashkë me Neymar e Suarez, ndërsa Sergi Roberto mbetet në dyshim. Nëse statistikat do të ishin vendimtare në këtë duel, atëherë fitorja e Barcelonës mund të konsiderohej e sigurt pasi Real Sociedad nuk merr pikë në impiantin katalanas që prej vitit 1995 pasi Barcelona ka fituar 17 takimet e fundit.

Një sfidë tjetër që premton spektakël do të luhet në “Vincente Calderon” ku Atletico Madrid pret Espanyolin për të konsoliduar pozitat në vendin e dytë, me shpresën e hapave falsë në “Camp Nou”. Miqtë kërkojnë suksesin e tretë në transfertë por Diego Simeone është një trajner që sfida të tilla i përgatit me kujdesin më maksimal pa e nënvleftësuar kundërshtarin. Me 9 ndeshje pa asnjë humbje në të gjitha kompeticionet, Atletico Madrid reflekton formën e mirë që po kalon pasi gjatë muajit Nëntor ka pësuar vetëm një gol, ndërsa në krahun tjetër, skuadra e Sergio Gonzalez ka mbrojtjen më të dobët të kampionatit bashkë me Levanten.

Nga Spanja në Itali aty ku Milani do të kërkojë të hedhë pas krahëve disfatën në Torino por për ta bërë një gjë të tillë, Mihajlovic duhet të mundë ish skuadrën e tij, Sampdorian. Me një trajner të ri dhe plot stimuj si Vincenzo Montella, kuqezinjtë do ta kenë të vështirë të mposhtin një skuadër të organizuar mirë në mbrojtje dhe të paparashikueshme në kundërsulm. Milani po kalon një moment jo shumë pozitiv për shkak të mungesës së rezultateve dhe kjo reflektohet edhe në moralin e skuadrës pasi me 10 pikë diferencë nga vendi i parë situata po fillon të bëhet shqetësuese. Edhe në kampin tjetër situata është gri pasi Sampdoria e ka marrë 3 pikëshin e fundit në fund të muajit Shtator dhe aktualisht renditet në vendin e 12 të Serie A dhe kjo situatë çoi në shkarkimin e trajnerit Walter Zenga. Një tjetër takim që do të kuhet të Shtunën në Serie A është edhe ai i orës 18:00 mes Torinos dhe Bolognas.

Ndërkohë, në Gjermani trajneri i Hertha Berlin, Pal Dardai kërkon të bëjë surprizën në “Allianz Arena” aty ku Bayerni këtë sezon nuk i ka kursyer golat ndaj të gjithë kundërshtarëve. Vendi i katërt në klasifikim për kryeqytetasit është një motiv më shumë që ata të kërkojnë surprizën në Bavari aty ku Bayerni nuk ka lënë asnjë pikë. Me 7 fitore dhe 28 gola të shënuar në “Allians Arena” skuadra e Pep Guardiolës kërkon të vazhdojë ecurinë pozitive për t’i shkaktuar Herthas humbjen e nëntë rresht në përballjet mes dy skuadrave. Për të gjetur fitoren e fundit të kryeqytetasve në shtëpinë e Bayernit duhet të shkojmë deri në vitin e largët 1977 por kjo është një tjetër histori dhe bardheblutë synojnë që të hedhin një hap më tej drejt objektivit për të qëndruar mes 4 të parëve.

Një tjetër sfidë që do të transmetohet në ekranin e Supersport është edhe ajo mes Hoffenheimit dhe Borussias së Mounchengladbach. Në Francë, Paris Saint Germain pret Troyes për herë të parë në shtëpi që pas atentateve të 13 Nëntorit, ndërsa Nantes sfidon Bastian. Nuk ka pushim as për Feynoord në Holandë që për të ruajtur distancën me Ajaxin kryesues do të sfidojë Excelsior në transfertë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat