Stevan Jovetiq nuk e ka pritur që Interi të jetë kryesues i Serie A, por kjo vjen si rezultat i dëshirës së madhe të lojtarëve për të fituar.
Jovetiq është transferuar nga Manchester City te Interi gjatë verës. Sulmuesi malazez me të ardhur në Milano, është shndërruar në yll të skuadrës dhe ai beson që ky grup lojtarësh që ka Interi, mund të arrijë të shpallet kampion i Italisë.]
Ish-futbollisti i Fiorentinës, është i befasuar me ecurinë pozitive të zikaltërve dhe pranon se nuk e ka pritur që ata të jenë liderë të tabelës, por sipas tij kjo tregon dëshirën e madhe që ka ekipi për të arritur objektivat.
“Kam qenë i bindur që do ta nisim mirë kampionatin, por nuk e kam pritur që të jemi lider”, ka thënë Jovetiq për gazetën italiane ‘Corriere dello Sport’.
“Jemi të parët pasi që luftojmë në çdo ndeshje vetëm për të fituar. Nuk duhet harruar që Interi këtë sezon ka ndryshuar shumë, krahasuar me disa skuadra tjera të cilat ka vite që kanë pothuajse të njëjtët futbollistë”.
“Nuk ka favoritë për Scudetto, por besoj që lufta do të zhvillohet mes katër ose pesë skuadrave, e gjithsesi në këtë mes është edhe Interi”, është shprehur reprezentuesi malazias, që ka shënuar tre gola në këtë sezon me zikaltërit.