Zef Gjoni: Kërkojmë 3-4 vende të para në turneun “Adem Jashari”

Sporti

Zef Gjoni: Kërkojmë 3-4 vende të para në turneun “Adem Jashari”

Më: 27 nëntor 2015 Në ora: 16:42

Pasditen e së sotme ekipi kombëtar shqiptar i boksit është nisur drejt Kosovës. Ai do të marrë pjesë më edicionin e radhës të turneut ndërkombëtar “Adem Jashari” që zhvillohet çdo vit atje. Sivjet, është vendosur që aktiviteti të zhvillohet në qytetin e Pejës dhe sipas organizatorëve, pritet që pjesëmarrës të jenë rreth 10 shtete. Ndër ta, do të jetë edhe Shqipëria e drejtuar nga trajnerët Zef Gjoni e Sead Bushati.

Ata do të kenë me vete edhe shtatë sportistë ndër më të mirët e vendit. Natyrisht që objektivat janë të qarta për të zënë sa më shumë vende të para. Ndër shtatë pjesëtarët e kombëtares tonë, tre prej tyre i takojnë ekipit të Vllaznisë, të cilët kanë kohë që përgatiten për këtë aktivitet, ndërsa ditët e fundit me ta është bashkuar edhe vlonjati Krenar Zeneli.

Trajneri Gjoni në një prononcim për “telesport” flet për këtë turne dhe objektivat që do të ketë kombëtarja jonë.

“Pas suksesit që patëm në “Gongun e Artë” në Maqedoni ku morëm dy medalje të arta dhe një të bronztë, kombëtarja shqiptare është përgatitur dhe tashmë bërë gati për të marrë pjesë në një tjetër turne të rëndësishëm siç është kupa “Adem Jashari”. Sipas informacioneve që kemi, sivjet do të ketë një pjesëmarrje të madhe të sportistëve nga shumë vende të Europës e Rajonit dhe kjo do të bëjë që cilësia e ndeshjeve të jetë e lartë. Kombëtarja shqiptare do të marrë pjesë me një përbërje edhe më të plotë në këtë aktivitet dhe me boksierë cilësorë.

Ne do të përfaqësohemi me shtatë sportistë, nga të cilët tre janë të Vllaznisë, një i Tiranës, një i Flamurtarit, një i Dinamos dhe një i Teutës. Ata kanë secili pretendimet e tyre por besoj se paraqitja do të jetë e mirë“, ka thënë ai. Edhe në edicionet e kaluar boksierët tanë janë paraqitur mirë në këtë turne i cili ndiqet me shumë interes nga sportdashësit kosovarë. Jo pa qëllim edhe Federata Kosovare e Boksit e organizon atë çdo vit në qytete të ndryshme për të mbajtur gjallë interesimin e tifozëve për këtë sport.

Gjoni i pyetur se sa vende të para mund ta marrin boksierët tanë në këtë turne, do të përgjigjej: “Nuk mund të them me saktësi se sa vende të para do të kërkojmë të zëmë, sepse ende nuk dimë saktësisht emrat e sportistëve pjesëmarrës apo dhe peshat e tyre. Kjo do merret vesh pas shortit, megjithatë jam i bindur se tre apo katër vende të para do t’i zëmë.

Kemi treguar dhe po vazhdojmë të tregojmë se me vendet e Rajonit ne jemi të barabartë, për të mos thënë më lart megjithëse për të qenë më konkurrues duhen plotësuar edhe disa kushte të cilat janë të domosdoshme për sportistët dhe ne trajnerët“. Ndeshjet do të zhvillohen për dy ditë me radhë, të shtunën kur do të jetë rradha e gjysmëfinaleve dhe të dielën do jenë finalet që do të përcaktojnë edhe boksierët më të mirë të këtij turneu për këtë vit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat