Ekipet e kualifikuara në Europa League

Sporti

Ekipet e kualifikuara në Europa League

Më: 27 nëntor 2015 Në ora: 10:49

Janë luajtur mbrëmjen e së enjtes ndeshjet e pesta në grupet e Europa League, duke dhuruar gola, spektakël, por edhe emrat e disa ekipeve të kualifikuara për në fazën e 1/16-ave të këtij kompeticioni.

Me Jurgen Klopp në stol, Liverpool i është rikthyer fitoreve në Angli, por të njëjtën gjë bëri edhe mbrëmjen e së enjtes në Europa League, duke mposhtur 2:1 francezët e Bordeaux. Me këtë rezultat ata siguruan kualifikimin për në fazën e ardhshme të këtij kompeticioni.

Siguroi kualifikimin edhe Lazio që nuk gaboi në fushën e saj ndaj ukrainasve të Dnipro, duke fituar 3:1. Po ashtu, një biletë për fazën e ardhshme siguroi edhe Baseli i shqiptarëve, i cili arriti një barazim 2:2 ndaj Fiorentinës në fushën e tij dhe me pikën e fituar ata janë në fazën e ardhshme. Fiorentinës, e cila nuk arriti ta mbante avantazhin e dy golave të shënuar nga Federico Bernardeschi në Zvicër, do t’i mjaftonte edhe një barazim në ndeshjen e fundit ndaj Belenenses për të siguruar kualifikimin.

Schalke 04 vuajti ndaj Apoelit, duke e gjetur me vështirësi golin e vetëm të fitores, i cili u shënua në minutat e fundit të ndeshjes, por që i jep të drejtën gjermanëve të vazhdojnë për më tej në Europa League.

Ekipet e kualifikuara deri tani:

Liverpool, Krasnodar, Villarreal, Braga, Lazio, Saint-Etienne, Basel, Tottenham Hotspur, Schalke 04, Sparta Prague, Athletic Bilbao. Borussia Dortmund, Napoli, Rapid Wien dhe Molde.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat