Prishtina drejt Zenicës me shpresë për ta befasuar Çelikun!

Sporti

Prishtina drejt Zenicës me shpresë për ta befasuar Çelikun!

Nga: Kemajl Goca Më: 27 nëntor 2015 Në ora: 10:44

Çeliku i Zenicës është një kundërshtar pak i njohur për klubin e hendbollit Prishtina. Prishtina do të ballafaqohet me Çelikun, në kuadër të rrethit të tretë të Challenge Cup në hendboll (meshkuj). Të dyja takimet do të zhvillohen në Zenicë (me 28 e 29 nëntor) dhe me marrëveshje të klubeve. Hendbollistët e Prishtinës në orët e mëngjesit të sotëm do të marrin rrugën për në Zenicë të Bosnjës, ku i pret një sprovë e vështirë. Bardhekaltrit shpresojnë se do ta befasojnë Çelikun. Ndeshja e parë do të zhvillohet me 28 nëntor (17.00), ndërsa ajo e kthimit një ditë më vonë (15.00). Kapiteni i Prishtinës, Ylber Mjeku, e pranon se do të jetë mjaft vështirë, për faktin se të dy ndeshjet i luajnë në konak të Çelikut. “Jemi përgatit për këtë ndeshje dhe nuk kemi edhe njohuri shumë për ekipin e Çelikut.

Flitet se Çeliku ka bërë shumë ndërrime në lojtarë këtë vit, kështu që s’kemi shumë njohuri për lojtarët e ri”, tha Mjeku për gazetën kombëtare “Bota sot”. Çeliku është në vend të pestë me 18 pikë pas 11 javëve të zhvilluara në kampionatin boshnjak. Kjo renditje e tyre nënkupton se kanë një ekip mjaft e fortë. “Nuk është edhe e lehtë të themi se do të dalim me një rezultat pozitiv ose fitore, mirëpo do të mundohemi që të nxjerrim më të mirën, sepse të dy takimet zhvillohen në Zenicë dhe ata kanë tifozët në anën e tyre, lojtarin e tetë në fushë”, theksoi hendbollisti. “Është mjaft vështirë t’i luash dy ndeshje si mysafir, kur dihet si vendas gjithmonë e ki një përparësi edhe me shikues, por kështu ishte fati ynë këtë herë të luajmë jashtë”, thotë Mjeku.

Cilat janë arsyet që luhen dy ndeshje në Zenicë? “Arsye kryesore që dy ndeshjet luhen në Bosnjë janë kushtet financiare të KH Prishtina”, përgjigjet Mjeku. Hendbollisti shprehet se janë të kompletuar dhe premton angazhim maksimal me bashkëlojtarë. “Prishtina është e kompletuar me lojtarë, nuk kemi ndonjë mungesë. Mendoj që më të fortë jemi në dashurin për fitore dhe të paraqitem më denjësisht, pra të japim maksimumin”, shprehet hendbollisti, i cili ka parë disa ndeshje të ekipit boshnjak. “Kemi shikuar ndeshjet e mëparshme të tyre, mirëpo tani thuhet se kanë ndërruar shumë lojtarë dhe do ta luajmë lojën tonë. Do të mundohemi t’i mbyllim pikat e forta të rivalit dhe ta shfrytëzojmë mbrojtjen e dobët të tyre. Jemi të mobilizuar, nuk ndjejmë asnjë lloji presioni që luajmë të dy takime në Zenicë”, tha Mjeku.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat