Turqia me padurim e pret pranimin e Kosovës në FIFA

Sporti

Turqia me padurim e pret pranimin e Kosovës në FIFA

Nga: K.G. Më: 26 nëntor 2015 Në ora: 19:00

Në selinë e Federatës turke të futbollit, në Stamboll, kryetari Yildirem Demiroren, sekretari Kadir Kardesh dhe përzgjedhësi tashmë miku i madh i Kosovës, Fatih Terim pritën delegacionin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrrin, kryetar, Agim Ademi nënkryetar dhe Eroll Salihu sekretar i përgjithshëm.

Në këtë takim të konfirmuar muaj me parë dhe që rrodhi në atmosferë të jashtëzakonshme dhe i nivelit më të lartë u diskutuan shumë çështje të interesit të ndërsjellë dhe të ndërtimit të strategjisë së përbashkët për veprimet e ardhshme. Duke vënë në spikamë interesa të larta, parasegjithash të ndihmës për zhvillimin e futbollit të Kosovës.

Mikpritësit theksuan njëzëshëm se Turqia moti i ka hapur dyert dhe se krahëhapur e me padurim e pret pranimin e Kosovës në FIFA dhe në UEFA. Po ashtu, të pranishmit thanë se Turqia sikundër që ka premtuar edhe nga takimet e mëhershme e të cilat kanë dhënë frytet e para, nuk do të zbrapset nga ndihma e pa rezervë për të sensibilizuar miqtë e aleatët për ta anëtarësuar futbollin e Kosovës në të gjithë organizmat ndërkombëtarë. Yildirem po ashtu shprehu kënaqësinë që pikërisht ai me stafin e tij do të jenë kontribuuesit në këtë moment historik të futbollit të Kosovës.

Ndërsa, Kardesh me prejardhje pejane, pohoi se Turqia tashmë me ndikimin që ka dhe me aleatet e saj e sheh Kosovën në UEFA e FIFA. Në këtë kuadër një ndërlidhje interesante e bëri përzgjedhësi Terim duke thënë se nuk e harron ndeshjen me Kosovën dhe siç u shpreh do të me përmbushej dëshira e zjarrtë që në eliminatoret e botërorit të luajë në grup të njëjtë me vendin ku nisa eliminatoret e evropianit dhe që dola me fat. Pse të mos bëhet kështu edhe për botërorin aq më parë kur niset rruga për Rusi dhe një nga ne duhet të jemi atje, përfundoi Terim, i cili e ftoi Vokrrin që në Francë të jetë mysafir nderi i skuadrës turke.

Delegacioni i Kosovës u nda tejet i kënaqur dhe falënderoi mikpritësit për kohën që kanë ndarë dhe mbështetjen që i kanë dhënë dhe po i japin FFK-së dhe futbollit të Kosovës duke konfirmuar edhe njëherë miqësinë e pashembullt që ka me futbollin turk e në veçanti me drejtuesit dhe përzgjedhësin e federatës turke.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat