Manuel Neuer? Bayerni mund të luajë edhe pa portier

Sporti

Manuel Neuer? Bayerni mund të luajë edhe pa portier

Më: 26 nëntor 2015 Në ora: 11:55

Një vit më parë ishte kandidat për “Topin e Artë”, por tashmë futbolli bavarez mund të mos ketë më nevojë për të.

Kampionët e Gjermanisë duket se kanë gjetur ritmin e kohëve më të mira pasi gjigandi i tyre në portë duket se po e “vjedh” pagën e tij. Sipas statistikave, skuadra e Guardiolas mund të luante qetësisht edhe pa një portier dhe do të ishte sërish në vendin e parë.

Në 13 ndeshje në kampionat, Bayerni ka pësuar 24 goditje në kuadrat.

Nëse çdo goditje do të ishte gol, Bayerni do të kishte humbur pikë vetëm në tre raste. Në javën e tretë Bayer Leverkusen e goditi portën vetëm tre herë dhe në atë ndeshje Bayerni fitoi 3-0.

Në javën e nëntë, skuadra e Guardiolas kaloi Werder Bremen 1-0 që shënjestroi kuadratin 2 herë, ndërsa dy javë më pas erdhi barazimi 0-0 ndaj Eintracht që goditi dy herë. Të gjitha ndeshjet e tjera, Bayerni do t’i kishte fituar gjithsesi dhe sipas llogarive, edhe me 6 pikë më pak kampionët do të ishin në krye të Bundesligës pasi aktualisht janë 8 pikë larg Borussias ndjekëse.

Manuel Neuer u transferua te Bayerni në vitin 2011 ku u prit me kontestime nga ultrasit e Bayernit pasi ai nuk e kishte fshehur asnjëherë që skuadra e zemrës së tij mbetej Schalke 04.

Për shumë kohë, tifozët e Bayernit nuk arritën ta gëlltisnin afrimin e Neuer por me paraqitjet e tij në rritje mosmarrëveshjet u sheshuan dhe ai tashmë është një nga portierët më të mirë të botës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat