Azemi: Synimi ynë i parë është të kalojmë grupin në FIBA Europe

Sporti

Azemi: Synimi ynë i parë është të kalojmë grupin në FIBA Europe

Më: 25 nëntor 2015 Në ora: 11:07

Sigal Prishtina të mërkurën është ndoshta para sfidës më të rëndësishme në edicionin e deritashëm të FIBA Europe Cup. Prishtina nesër me fillim nga ora 14:00 do të përballet me Astana-n në Kazakistan në kuadër të xhiros së pestë të Grupit K të FIBA Europe Cup dhe në rast fitoreje mund t’i shtohen shpresat për kualifikim në fazën tjetër të kësaj gare. Në ballafaqimin e parë ndërmjet këtyre dy skuadrave në xhiron e dytë të luajtur në Prishtinë më 4 nëntor patën triumfuar bardhekaltrit me rezultat 75:73.

Prishtinasit pas katër xhirove kanë regjistruar 2 fitore e 2 humbje, kurse kazakët kanë bilanc prej 1 fitore e 3 humbje. Edhe në rast se kryeqytetasit pësojnë disfatë në Astana nuk do t’i humbin gjasat për kualifikim në fazën tjetër, por më pas gjithçka do të varet edhe nga rezultatet e skuadrave të tjera. Dy të parat e grupit vazhdojnë tutje garat në FIBA Europe Cup.

Edmond Azemi, kapiten i Sigal Prishtinës: “Synimi ynë i parë është të kalojmë grupin në FIBA Europe Cup. Do të jemi mysafirë të Astana-s, që është një ndeshje shumë e vështirë për ne, derisa në takimin e fundit e presim AEK-un e Qipros në ndeshjen vendimtare. Kemi shënuar dy fitore në shtëpi, andaj besoj se mund të fitojmë edhe takimin e fundit dhe të kalojmë në fazën tjetër”.

Rustam Yargaliyev, kapiten i Astana-s: "Do të jetë shumë i rëndësishëm fakti se si luajmë në mbrojtje. Kundërshtari ka lojtarë të mirë fundorë. Po ashtu ka lojtarë me përvojë të cilët ne duhet t'i ndalim. Ne duhet të fitojmë në këtë ndeshje, sepse kështu edhe do t'i japim fund disfatave dhe të rikuperohemi para tifozëve tanë".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat