Sfida më interesante në ‘Old Trafford’

Sporti

Sfida më interesante në ‘Old Trafford’

Nga: Kemajl Goca Më: 25 nëntor 2015 Në ora: 10:34

Real Madridi pas humbjes turpëruese në konak (në kampionatin spanjoll) me rezultat 4:0 nga rivali i përbetuar dhe i përjetshëm, Barcelona, sonte do të jetë mysafir i Shakhtarit nga Ukraina, në takimin e xhiros së pestë të grupit A të Champions League. Reali është i qetë, ngase ka siguruar kalimin në të tetën e finales, ndërsa Shakhtar synon pikë. PSG-ja kërkon tri pikë në shtëpi të Malmos dhe përfundimisht të merr vizën për më tutje.

Malmo që ka sulmuesin shqiptar, Agon Mehmeti, shpreson ta ndalë një pikë, që i jep shpresë për vend të tretë. Reali udhëheq në grup me 10 pikë, i ndjekur nga PSG (7), Shakhtar (3) e Malmo (3). Në grupin B, Manchester Utd-PSV dhe CSKA-Wolfsburg, janë të dy ndeshjet si finale. Manchester Utd në Old Trafford do të takohet me PSV-në, e cila është sfida më interesante, kurse skuadra gjermane Wolfsburg në Moskë synon pikë që i jep shpresë për të kaluar grupin.

Manchester Utd është favoritë, pasi ka përparësinë e fushës, ndërsa mysafirët do të orvaten të bëjnë befasi. Manchester Utd kryeson me 7 pikë në grupin B, duke lënë me një pikë më pak PSV-ën e Wolfsburgun dhe CSKA-n e fundit me vetëm katër pikë të mbledhura. Benfica dhe Atletico Madridi kërkojnë pikët e kualifikimit. Benfica luan në udhëtim kundër Astanës nga Kazakistani, kurse Atletico Madridi e pret Galatasarayn. Atleticos i mjafton edhe një pikë për të avancuar përpara, kurse Galatasaray vetëm fitorja e mban në hap për dy vendet e para. Benfica është lider me 9 pikë në grupin C, e përcjellë nga Atletico (7), Galatasaray (4) e Astana (2).

Në grupin D duket se gjithçka është e qartë, sepse Juventus dhe Manchester City që përballen mes vete do të jetë më shumë një ndeshje për të dëshmuar kualitetet e tyre, ngase City vetëm është i kualifikuar, kurse Juves i duhen edhe tri pikë. Mesfushori ofensivë shqiptar, Granit Xhaka me Monchengladbach takohen me Sevillën, ndeshja e cila është një luftë e ashpër për vend të tretë. Manchester City është i pari me 9 pikë, por ndiqet nga Juventusi me 8 sosh, ndërsa Sevilla pozicionohet i treti me 3 pikë, një më tepër se Monchengladbach i fundit.
Ndeshjet, sot
Grupi A

Malmo-PSG 20.45
Shakhtar-Real Madrid 20.45

Grupi B
CSKA M.-Wolfsburg 18.00
Manchester Utd-PSV 20.45

Grupi C
Astana-Benfica 16.00
Atl. Madrid-Galatasaray 20.45

Grupi D

Monchengladbach-Sevilla 20.45
Juventus-Manchester City 20.45

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat