Europa League, ja cilat skuadra presin të kualifikohen

Sporti

Europa League, ja cilat skuadra presin të kualifikohen

Më: 24 nëntor 2015 Në ora: 23:37

Një numër i madh skuadrash presin të festojnë kualifikimin pas ndeshjeve të pesta në grupet e Europa League. Deri në këtë fazë të aktivitetit, vetëm katër skuadra e kanë siguruar kalimin më tej: ato janë Dortmund, Molde, Napoli dhe Rapid Wien, ndërkohë që Dinamo e Minskut dhe Groningen janë të eliminuara.

Molde ka 10 pikë dhe do të konfirmohet si fituese e Grupit A nëse eviton humbjen përballë Fenerbahçes. Turqit nga ana e tyre do të kualifikoheshin me një fitore dhe nëse Celtic e Ajax-i barazojnë. Një sukses i Fenerbahçes do të përkthehej si eliminim për secilën skuadër që humbët në sfidën Celtic-Ajax.

Sioni ka shansin që me një fitore përballë Rubin Kazan të ngjitet në kuotën e 11 pikë në Grupin B dhe të kualifikohet. Për rusët, humbja do të ishte eliminim nga gara. Liverpooli përballet me francezët e Bordeaux: fitorja do t’i kualifikonte “Reds”.

Në Grupin C, Borussia Dortmund është e kualifikuar, ndërsa mund të festojë edhe Krasnodar nëse i mposht gjermanët në duelin direkt. Qabala duhet të mposhtë PAOK-un e Ergys Kaçes dhe të shpresojë që Krasnodar do të humbasë, për të luajtur duelin direkt me rusët më 10 Dhjetor në Baku.

Napoli është i konfirmuar si fitues i Grupit D me 4 fitore në po kaq ndeshje. Midtjylland mund të renditet e dyta nëse fiton në fushën e Legia Warszawa dhe njëkohësisht Club Brugge nuk arrin të mposhtë Napolin.

Në Grupin E ka dy verdikte: Rapidi është i kualifikuar, ndërsa Dinamo e Minskut e eliminuar. Beteja mbetet mes Villarreal-it që ka 9 pikë dhe Viktoria Plzen 3. Spanjollët kalojnë nëse evitojnë humbjen përballë Rapidit. Nëse Viktoria e ngushton diferencën në 3 pikë, ata mund ta kalojnë Villarrealin me një fitore me dy gola diferencë në sfidën direkte më 10 Dhjetor.

Në Grupin F, Braga kryesuese më 9 pikë kualifikohet me një fitore përballë ndjekësve më të afërt të Slovan Liberec me 7 pikë, ose nëse barazojnë dhe Marseille mumbet përballë Groningen që nuk ka më shanse. Slovan, ku militon Herolind Shala, i nevojitet të fitojë dhe që Marseille të humbasë për t’u kualifikuar menjëherë.

Lazio mund të sigurojë kualifikimin në Grupin D, nëse eviton humbjen në shtëpi përballë Dnipro. Me fitore në sfidat përkatëse italianët dhe St-Etienne do të festonin kualifikimin e parakohëshëm. Rosenborg-u në anën tjetër eliminohet nëse nuk arrin të mposhtë St-Etienne.

Në Grupin H, aty ku luan edhe Skënderbeu, kryesuesit e Lokomotivës së Moskës dhe Besiktas-i i vendit të dytë kualifikohen me fitore. Rusët luajnë ndaj Sportingut të Lisbonës, ndërsa turqit presin në Stamboll kampionët e Shqipërisë. Besiktas kualifikohet nëse triumfojnë dhe Sportingu nuk arrin të mposhtë Lokomotivën. Në anën tjetër, pas fitores historike në ndeshjen e katërt, Skënderbeu rrezikon që me një humbje të eliminohet përpara kohe.

Në Grupin I, Basel luan me Fiorentinën. Italianët kërkojnë fitoren për t’u kualifikuar, ndërsa rezultati nuk do të kishte shumë rëndësi për zviceranët, që do të vazhdonin më tej nëse Belenenses dhe Lech Poznan barazojnë.

Në Grupin J, Tottenham kualifikohet nëse fiton në fushën e Qarabag. Me një fitore përballë Anderlecht-it vazhdon në fazën tjetër edhe Monaco.

Me një fitore përballë APOEL kualifikohet edhe Schalke në Grupin K. Suksesin e gjermanëve e pret edhe Sparta e Pragës, që do të festonte duke mposhtur grekët e Asteras Tripolis.

Në Grupin L, Athletic Bilbao kualifikohet edhe me një barazim në sfidën ndaj Augsburg, ndërkohë AZ Alkmaar rrezikon eliminimin nëse nuk mposht Partizanin e Beogradit. Në këtë grup gara është mjaft e vështirë, pasi në bazë të rezultateve matematika lejon që në fund të gjitha ekipet të kenë 9 pikë në renditje dhe dy të kualifikuarat do të përcaktohen prej ndeshjeve direkte dhe golavarazhit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat