PSG me fanellë të veçantë ndaj Malmoe

Sporti

PSG me fanellë të veçantë ndaj Malmoe

Më: 24 nëntor 2015 Në ora: 23:36

Në Lorient të Shtunën, luajtën me sloganin “Je Suis Paris” nën stemën e fanellës dhe Kullën Eiffel pranë zemrës, por edhe këtë të Mërkurë përballë Malmoe në Champions League, PSG do të zbresë në fushë sërish me një fanellë të veçantë. Këtë herë slogani “Je Suis Paris” do të shfaqet në vend të emrit të sponsorit. Një mënyrë kjo për t’i bërë homazh 130 viktimave të atentateve të 13 Nëntorit duke dhënë një mesazh në arenën ndërkombëtare kundër terrorizmit, atë se Parisi nuk dorëzohet para frikës.

PSG pastaj parashikon një homazh edhe për të Shtunën e ardhshme, kur kampionët e Francës do të luajnë ndeshjen e tyre të parë në shtëpi pas atentateve. Përballë Troyes, Ibrahimovic me shokë do të luajnë sërish me fanellën pa emrin e sponsorit që do të zëvendësohet nga slogani “Je Suis Paris”. Gjatë ndeshjeve të fundjavës në të gjitha fushat e Ligue 1 u këndua “La Marseillaise” dhe një minutë heshtje i parapriu të gjitha ndeshjeve. Homazhet ndaj viktimave në fakt ishin prezente në gjithë Europën dhe nuk bëri përjashtim këtu as Shqipëria me himnin francez që u këndua në “Qemal Stafa” para takimit të Partizanit me Vllazninë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat