Manaj mund të shkojë në një ekip tjetër në Serie A

Sporti

Manaj mund të shkojë në një ekip tjetër në Serie A

Më: 24 nëntor 2015 Në ora: 11:20

Futbollisti Rey Manaj ndihet mirë te Interi, por për të siguruar një vend në Kombëtaren shqiptare në Euro 2016 në Francë, duhet të luajë më tepër. Këtë e ka të qartë edhe menaxheri i sulmuesit të ri, Alberto Maria Fontana, i cili foli për të ardhmen e 18-vjeçarit. Sipas menaxherit, “Rey ndihet shumë mirë te Interi, ku stërvitet përkrah lojtarëve të mëdhenj”. Fontana theksoi se “zikaltërit synojnë ta blejnë kartonin e plot të Manajt nga Cremonese”.

Por, që të rritet, talentit i nevojiten më tepër hapësira, të cilat mund t’i gjejë në një tjetër skuadër të Serisë A. “Frosinone mund të jetë një alternativë e mirë”, tha menaxheri. Me dy ndeshje në këtë edicion të Serisë A me Interin, kundër Alatantës dhe Sampdorias, për një total prej 34 minutash në fushë, Rey Manaj mbetet mes të rinjve tek i cili trajneri Roberto Mancini beson më tepër. Por, me një vend në përfaqësuese për t’u fituar në kuadër të Europianit 2016, janari shndërrohet në një muaj mjaft të rëndësishëm për sulmuesin.

Për të mos humbur mundësinë që të jetë në Francë me Kombëtaren, 18-vjeçari mund të zgjedhë të largohet në formë huazimi te një tjetër skuadër, për të luajtur me vazhdimësi. Në këtë kuadër, edhe klubi zikaltër dhe Cremonese po vlerësojnë cila është alternativa më e mirë për lojtarin, që cilësohet një talent me të ardhme të madhe.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat