Tirana kalon 3-0 Tërbunin, bardheblutë barazojnë Kukësin

Sporti

Tirana kalon 3-0 Tërbunin, bardheblutë barazojnë Kukësin

Më: 7 nëntor 2015 Në ora: 21:17

Tirana shëron plagët e një fillim-sezoni jo shumë pozitiv. Skuadra bardheblu edhe pse e mbështetur nga një numër i vogël tifozësh në stadiumin “Qemal Stafa”, regjistroi fitoren e dytë rresht dhe të pestën sezonale duke mposhtur Tërbunin me rezultatin e pastër 3-0. Duket se trajneri i ri Ilir Daja ka gjetur kurën e shërimit të skuadrës bardheblu që dominoi gjatë gjithë 90 minutave.

Tirana tregoi muskujt menjëherë duke marrë kontrollin e lojës. Goli i parë nuk vonoi pasi 7 minuta nga fillimi i sfidës, mbrojtësi Karan u gjend i vetëm në zonë pas një topi të devijuar me kokë nga Muça. Shtatlarti bardheblu nuk e pati aspak të vështirë për ta shtyrë topin në rrjetë.

Ishte sërish Karan që u shfaq i rrezikshëm në zonën e Tërbunit me një goditje në minutën e 11 që përfundoi ngjutur me shtyllën pingule të pukjanëve. Edhe pse Tërbuni kërkoi të fitonte metra, Tirana u tregua sërish e rrezikshme në minutën e 40 me japonezin Fukui, ndërsa Karan kishte një tjetër mundësi të artë në minutën e 43 me një goditje të gabuar me kokë. Pjesa e dytë nisi me një ritëm të lartë nga ana e Tiranës që e gjeti golin menjëherë. Elis Bakaj ngriu portierin kundërshtar me një goditje të saktë edhe pse për trajnerin italian të Tërbunit, Xhino Gargano portiri duhej të kishte bërë më shumë.

Në tribunën qëndrore të stadiumit “Qemal Stafa” ishte i pranishëm edhe trajneri i Kombëtares, Gianni De Biasi, ndërsa në fushën e lojës Tirana dominoi totalisht gjatë minutave në vazhdim, duke mos u dhënë asnjë mundësi Tërbunit. Në minutën e 67 ishte radha e Gilman Likës që shënjestroi rrjetën e tretë dhe golin e dytë personal në këtë sezon. Një ndeshje pozitive e Tiranës që gjen një tjetër sukses të rëndësishëm sezonal për të fituar sa më shumë terren në klasifikimin e përgjithshëm ku numëron 16 pikë, po aq sa Kukësi që do të luajë të dielën në transfertën e Ballshit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat