Basha: Kualifikim historik, çdo ndeshje luftuam sikur të ishte e fundit

Sporti

Basha: Kualifikim historik, çdo ndeshje luftuam sikur të ishte e fundit

Nga: Kemajl Goca Më: 13 tetor 2015 Në ora: 19:23

Ndjenjë e papërshkrueshme, emocione të pakufishme, lot gëzimi kudo që jetojnë e veprojnë shqiptarët, dikush nuk u përmbajt fare dhe nga gëzimi u shkreh i tëri në vaj, as fjalë nuk mund të gjenim aq të bukura se si ta përshkruajmë kualifikimin historik të kombëtares së Shqipërisë në Euro 2016 në futboll. 11 tetori, një ditë sa e lezetshme, aq edhe e bukur, që gjithmonë do të mbetet në kujtesën e çdo shqiptari. Një mbrëmje krenarie, gjithë kombi i mbështjellur kuqezi dhe festë kombëtare. Kombi shqiptar festojë fitoren më bindëse të Shqipërisë në Yerevan të Armenisë me rezultat 3:0 dhe shpërtheu në festën e kualifikimit historik në Euro 2016.

Futbollistët shqiptarë, trimat tanë, emrat e tyre do të shënohen me shkronja ari, si djemtë heronj që na çuan në Euro 2016, për herë të parë në historinë e futbollit shqiptar. Migjen Basha, futbollist i dëshmuar dhe që dha energjinë e fundit që ëndrrën ta bëjnë realitet, është i emocionuar deri në pikën e fundit për këtë dhuratë aq të bukur që i bënë kombit shqiptar. Mesfushor që nuk ndjente lodhje fare në takim me Armeninë, vraponte cep në cep të fushës me bashkëlojtarë tjerë, për ta përmbushur misionin - kualifikimin historik.

Basha buzagaz, me një humor interesant përshkruan edhe pritjen në tepihun e kuq në kryeqytetin shqiptar, ku dolën me dhjetëra mijëra shqiptar, duke brohoritu emrat e tyre. Pa dyshimi nuk ke si mos emocionohesh kur një komb e bën aq të lumtur, krenar e të festojë në mënyrë madhështore dhe me thirrje të zjarrta e aq shqip: O sa mirë me qenë shqiptar. Basha, kryetrimi ynë, në pyetjen se si u ndje në tepihun e kuq, u përgjigj me një humor të ëmbël:

“Gabim je more, paske parë ndonjë film Ti, hahaha, deri dje tepihun e kuq e kam pa vetëm nëpër filma!” Basha ekskluzivisht për gazetën kombëtare “Bota sot”. përshkruan fije e për pe këtë rrugëtim sa të vështirë dhe aq të lavdishëm. Ai tregon se si u ndje kur huqi rastin ideal ndaj Armenisë, se çfarë mendonte në ato çaste, si u ndje kur u thellua epërsia dhe si e përjetojë humbjen me 8 tetor nga Serbia.

“Bota sot”: Shqipëria në histori, u kualifikuat në Euro 2016, si po ndjeni që jeni pjesë e kësaj historie?

Migjen Basha: Emocion që nuk përshkruhet, ende nuk po mundem me besua që do të shkojmë në Francë. Kjo nuk do të harrohet kurrë dhe jam i lumtur që njerëzit një ditë mund të ju tregojnë fëmijëve të mi që kam qenë pjese e kësaj historie.

“Bota sot”: A ishit në presion të madh para takimit me Armeninë në Yerevan, sepse vetëm trepikëshi iu kualifikonte direkt në Euro 2016?

Migjen Basha: Ka qenë një presion i jashtëzakonshëm sidomos pas ndeshjes kundër Serbisë që humbëm, sepse kemi zhgënjyer shumë persona, prandaj u dashtë menjëherë të reagojmë dhe ta fitojmë ndeshjen. Në fillim të ndeshjes unë vërejta presioni, pastaj kalojë dhe e morëm lojën në duart tona.

“Bota sot”: Pa dyshim se ishte një fitore e vështirë, ani se rezultati përfundimtar qe 3:0, por pas kësaj ishte mbrëmja më e lumtur jo vetëm për ju e bashkëlojtarët tuaj, por për gjithë kombin shqiptar. Çfarë menduat në ato momente gjatë ndeshjes kur ishit në epërsi të thellë?

Migjen Basha: Sa më shumë afronte fundi i ndeshjes, aq më shumë ndihesha krenar që futbolli dhe populli ynë do të hyjë në histori.

“Bota sot”: Sa ishte i vështirë ky rrugëtim, kur dihet se ishin në grupin pothuajse të vdekjes, me kombëtare super të forta, si Portugalia, Danimarka dhe Serbia?

Migjen Basha: Besoj që shumë pak persona kanë besuar tek ne kur u hodh shorti, por ky grup kurrë nuk na frikojë. Kemi hyrë ndeshje pas ndeshje dhe luftuam sikur të jetë ndeshja e fundit e jetës tonë. Përveç minutave shtesë kundër Portugalisë dhe Serbisë mund të them se kemi qenë perfekt në këto ndeshje kualifikuese.

“Bota sot”: Tani jeni pjesë e finales së ngjarjes më të madhe, në Euro 2016, çfarë synoni?

Migjen Basha: Futbollit nuk i dihet kurrë, n’ varet çfarë grupi kemi, por mendoj se secila ndeshja ka historinë e vet dhe mundet me ndodhë gjithçka. Me rëndësi është që ne të jemi një grup kompakt sikur kemi qenë dhe pastaj të shohim, sigurisht që entuziazmi i madh mund të na shtyjë shumë për arritjen e rezultateve.

“Bota sot”: Në minutën e 9-të dolët në pozitë të volitshme, gjuajtjen tuaj e mbrojti portieri Kasparov, pastaj Shkëlzen Gashi futet si buldozer dhe mbrojtësi kundërshtar Hovhannisyan, duke tentuar ta heq topin e plasoi në rrjetë. Çfarë ndenje pate at moment?

Migjen Basha: Uuuuuu, nuk e kam prit të gjendem në atë pozicion me të treguar të drejtën, por u mundova të gjuajë sa më sigurt, mirëpo portieri e ndali dhe fati deshi që topi te shkojë tek Gashi ku është i pozicionuar si çdo herë në vendin e duhur dhe pastaj ra goli. Besomëni u çlirova shumë kur topi u fut në portë! Nuk mundem me thënë të njëjtën gjë kur humba rastin më vonë, sepse vet me vete thashë: kuuuuuuu çka bëra (qesh hahahahah), megjithatë, nuk u shqetësova shumë se ishim në epërsi 2:0 dhe vazhdova lojën.

“Bota sot”: Në Tiranë, në kryeqytetin shqiptar një pritje madhështore, në tepihun e kuq, garda e shtetit, kryeministri Edi Rama, pastaj presidenti Bujar Nishani e nderojë kombëtaren me titullin: ‘Nderi i Kombit’. Si e përshkruani këtë pritje që iu bë si heronj?

Migjen Basha: (Qeshet hahahha) Gabim je more, paske parë ndonjë film Ti Hahaha, deri dje tepihun e kuq e kam pa vetëm nëpër filma! Kjo do thotë që kemi bërë diçka të veçantë, që ta kesh nderin dhe të ecësh në tepihun e kuq, vërtet ishim krenar të gjithë.

“Bota sot”: Migjen, në sport ndodhin humbjet e papritura, sepse kështu është futbolli siç thonë i pamëshirshëm, si ndodhi me Serbinë. Si e përjetuat këtë humbje (2:0), si fundi i botës?

Migjen Basha: Ajo humbje na ka këputur dy këmbët, nuk e kemi pritur. Të gjithë shqiptarët e kanë pritur atë ndeshje, sepse e dimë urrejtjen që kemi ndaj tyre. Jemi zhgënjyer me vetveten dhe kemi zhgënjyer popullin tonë të mrekullueshëm. Atë ndeshje e kemi humb, sepse vullneti jonë i madh ka qenë që të fitoj, fatkeqësisht vullneti i madh na tradhtojë, sepse në momentin e golit të parë ishim të gjithë në sulm për ta bërë golin dhe nuk u kujdesëm prapa. Tash nuk ia vlen të thuash këtë gjë, se shumë persona nuk munden me kuptuar se na humbëm prej dëshirës që ta fitojmë ndeshjen, patjetër edhe kjo ndodhi. Në zhveshtore nuk ka pas fjalë, ishim të gjithë të mërzitur dhe me lot në sy për humbjen.

“Bota sot”. Ju tani do t'i ktheheni ekipit te Luzernit, çfarë synoni në Kampionatin e Zvicrës?
Migjen Basha:
Duhet të ambientohem, sepse kam ardhur në tjetër botë futbolli. Më duket shumë ndryshe se sa futbolli italian,po ashtu edhe në anën fizike duhet të punojë, sepse jam shumë me vonesë se sa tjerët lojtarë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat