CNN reportazh për Shqipërinë që u kualifikua në Euro 2016

Sporti

CNN reportazh për Shqipërinë që u kualifikua në Euro 2016

Më: 13 tetor 2015 Në ora: 18:43

Rrjeti prestigjoz amerikan, CNN, i cili është i përhapur në të gjithë botën i dedikoi një reportazh të veçantë kualifikimit të Shqipërisë në finalet e Europianit 2016. Artikulli niste me faktin që kualifikimi historik i Shqipërisë në një eveniment madhor është diçka që nuk shihet shpesh dhe për këtë arsye, është mëse normale që edhe kryeministri i vendit, Edi Rama të festojë arritjen e ekipit Kombëtar drejt turneut në Francë.

Reportazhi pasqyronte gjithçka ndodhi gjatë pasdites së të hënës, me shefin e qeverisë që priti personalisht heronjtë kuqezi në aeroportin “Nënë Tereza” dhe deri te udhëtimi me ekipin drejt selisë së Kryeministrisë. Në prononcimin për CNN, zoti Rama foli për bisedën me ekipin, menjëherë pas humbjes me rivalët serbë, që për një moment komplikuan ecurinë e përfaqësueses drejt ëndrrës së madhe. Kryeministri Shqiptar tregoi sesi “futbollistët ishin të shkatërruar pas humbjes së hidhur”, këshillën se “kur provon të arrish në majën e malit, duhet të përballesh me erën e fort” dhe thirrjen motivuese që në ndeshjen e fundit kualifikuese “ishte momenti që ekipi të tregonte të gjithë karakterin”.

Triumfi 3:0 në Jerevan të Armenisë bëri që të shperthente festa në mbarë trojet shqiptare. Pas festimeve në rrugë, brohoritjeve dhe fishekzjarrëve, qindra tifozë pritën skuadrën në aeroport dhe i shoqëruan në qendër të Tiranës për pritjet zyrtare dhe festën në DigitAlb Arena.

CNN theksonte se askush nuk e mendonte në fillim të edicionit që Shqipëria mund të kualifikohej direkt në Europianin 2016, në një grup me kundërshtarë si Portugalia, Danimarka, Serbia dhe Armenia. Rrjeti prestigjoz amerikan publikoi edhe fjalët e kapitenit Lorik Cana, që zbuloi se nuk e kishte ëndërruar një arritje të tillë dhe pas kualifikimit foli në telefon me babain, ish-futbollistin e famshëm Agim Cana i cili qau për dy orë nga emocionet. Kapiteni vlerësoi “arritjen e jashtëzakonshme, e cila lumturoi dhe bëri krenarë të gjithë popullin shqiptar”.

Loriku e vendosi theksin te “pesha e fanellës së Kombëtares, që përfaqëson të gjithë kombin dhe kualifikimi është një prej momenteve më të mahnitshme”. Mbrojtësi, ashtu si të gjithë lojtarët dhe stafi teknik u vlerësuan me medalje mirënjohjeje nga Kryeministri, ndërsa ekipi Kombëtar me titullin më të lart, Nderi i Kombit nga Presidenti i Republikës. Në reportazh përmendeshin edhe ngjarjet e 14 Tëtorit të kaluar në Beograd, me ndeshjen që u ndërpre pas ngjarjeve skandaloze nga huliganët serbë dhe betejën ligjore të fituar nga Shqipëria në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë. Në fund citohej Kryeministri Rama që theksoi për CNN se “Kombëtarja ka bashkuar shqiptarët”. Sipas kreut të qeverisë shqiptare, “askush nuk e mendonte të mundur një arritje të tillë, e cila për hir të së vërtetës nuk ndodh përditë” dhe kjo bën që “i gjithë vendi të jetë krenar për futbollistët”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat