Skandaloze, Çukariçki i Beogradit do të luajë për Kupë të Serbisë në Kosovë

Sporti

Skandaloze, Çukariçki i Beogradit do të luajë për Kupë të Serbisë në Kosovë

Nga: Kemajl Goca Më: 13 tetor 2015 Në ora: 15:32

Me leje të kujt skuadra serbe, Çukariçki nga Beogradi, do të futet në territorin e Republikës së Kosovës. Klub i futbollit serb do të udhëtojë për të zhvilluar ndeshjen me 28 tetor në Zubin Potok, territor i Republikës së Kosovës. Çukariçki vjen për të zhvilluar të ashtuquajtur ndeshje të Kupës së Serbisë, kundër Mokra Gorës, klub nga Zubin Potoku që nuk i njeh institucionet e Republikës së Kosovës.

Sot, është data 13 tetor, Federata e Futbollit e Kosovës dhe Qeveria e Kosovës duhet të marrin të gjitha masat dhe ta ndalojnë klubin serb që të futet në territorin tonë, se ndryshe është shkelje e sovranitetit të një shtetit tjetër. Kush po thotë se nuk ndalet ky farë Çukariçki? Para pak viteve Federata e Hendbollit e Serbisë synojë që ta mbajë finalen e Kupës së Serbisë në Zveçan, por këtë nuk mundi ta bëjë, pasi ishte Federata e Hendbollit e Kosovës që protestojë dhe iu ishte drejtuar me një letër edhe Federatës së Hendbollit Europian (EHF). Kjo kishte rezultuar pozitivisht dhe serbëve nuk ia kishte mbajtur që të mbajnë ndeshjet finale në Kosovë, se përndryshe do të sanksionohej nga EHF-i.

Gjithsesi se duhet të bëhen të gjitha hapat që të ndalohet futja ilegale e ekipit serb në Zubin Potok. Gjasat janë për t’u ndalur ky farë ekipi serb, sepse nuk mundet të hyjë në shtetin Kosovës pa marr leje nga organet shtetërore. FFK-ja duhet automatikisht të dërgojë shkresë në UEFA e FIFA dhe të kërkojë pengimin e klubit serb. Në rast se Çukariçki vjen dhe luan këtë ndeshje futbolli do të ishte skandal përtej skandali dhe një turp i madh. Sot është hedhur shorti, kur kjo farë Mokra Gora ka mësuar rivalin, e cila po luan ilegalisht.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat