Zhgënjimi dhe të zhgënjyerit

Sporti

Zhgënjimi dhe të zhgënjyerit

Nga: Kemajl Goca Më: 13 tetor 2015 Në ora: 15:04

Trajneri i klubit të volejbollit Prishtina Volley, Xhavit Kajtazi, është i zhgënjyer deri në asht. “Shumë kemi shpresuar, unë personalisht, që Superkupa e Kosovës në volejboll për meshkuj ndërmjet kampionit të Kosovës Drenica R&Rukolli dhe fituesit të Kupës së Kosovës, Prishtina Volley, do të zhvillohej, qoftë një ditë më herët qoftë një ditë më vonë se ajo në konkurrencën e femrave, gjithnjë me bindjen se kjo shfaqje hapëse e stinorit të volejbollit të Kosovës të transmetohej drejtpërdrejt në televizion. Aq më tepër kur po këtë ditë, luante përfaqësuesja e Shqipërisë në futboll një ndeshje vendimtare dhe historike me Armeninë.

Është vërtet e dhimbshme, se si askujt s'i shkoi mendja, që kjo ndeshje, siç u pa, dramatike dhe cilësore, të mos zhvillohet sipas programit të dyfishtë. Për fat të keq, nuk pati as një kamerë të vetme që me disa sekonda t'ua shpërblejë aktorëve djersën e derdhur për më së 2 orë e 30 minuta në Pallatin e sportit "1 Tetori", në Prishtinë. Kudo në botë shfaqjet e tilla finale transmetohen drejtpërdrejt në televizion, vetëm te ne ndodhin përzgjedhjet, që me të drejtë prekin shpirtin e sportistëve dhe të sportdashësve.

Mbase dikush ka pritur se kjo ndeshje do të merr fundin me rezultat të pastër 3:0, pa ndonjë qëndresë të fituesit të Kupës së Kosovës. Por, fatmirësisht, u zhgënjyen, dhe, mirë u bë që u zhgënjyen. Kështu nuk promovohet volejbolli i Kosovës”, shkruan Kajtazi në facebookun e tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat