Pse parashikohet short i vështirë për Shqipërinë?

Sporti

Pse parashikohet short i vështirë për Shqipërinë?

Më: 13 tetor 2015 Në ora: 11:26

Tashmë që ëndrra për të marrë pjesë në një Kampionat Evropian është bërë realitet për kombëtaren kuqezi, vëmendja shkon te shorti i Euro 2016 që do të hidhet në Paris në datën 12 Dhjetor. Ende nuk janë përcaktuar 4 vazot me nga 6 skuadra pasi UEFA e bën këtë ndarje vetëm pasi të kenë përfunduar eliminatoret përfshirë këtu edhe fazën play-off, por sido që të shkojë Shqipëria ka një koeficient të ulët në renditjen e UEFA-s për kombëtare dhe do të jetë në vazon e 4-t, atë të skuadrave më pak favorite. Gjasat që kuqezinjtë e Gianni De Biasit të shortohen në një Grup shumë të vështirë janë të mëdha, gjithsesi Shqipëria shpreson që të paktën nga vazo e tretë të peshkojë një skuadër të kalueshme për të pretenduar kualifikimin në rundin e 1/8-ave si një nga 4 skuadrat më të mira të renditura në vendin e tretë.

Sigurisht që ky është vetëm një parashikim pasi kjo kombëtare ka treguar se e pamundura nuk ekziston dhe kur bëhet fjalë për një sport si futbolli gjithçka mund të ndodhë. Nëse përpara fillimit të eliminatoreve ëndrra e të gjithëve ishte të kualifikoheshim për herë të parë në një kampionat europian tashmë dëshira e një populli të tërë dhe e futbollistëve të kombëtares është të përballemi me përfaqësuese të mëdha si Gjermania, Spanja, Anglia apo Italia në finalet një kampionati europiani.

Diçka e tillë është mëse e mundur sepse në shortin që do të hidhet në pallatin e kongreseve në Paris 12 Dhjetorin e ardhshëm, Shqipëria do të jetë në vazon e 4-t bashkë me përfaqësuese të tilla si Uellsi, Islanda e Irlanda e Veriut dhe pritet të ketë në Grup minimalisht dy kombëtare shumë të forta. Në short do të marrin pjesë 24 ekipe dhe 6 skuadrat me koeficientin më të lartë në klasifikimin e UEFA-s për kombëtare do të jenë pjesë e vazos së parë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat