A po prishen Duka e De Biasi?

Sporti

A po prishen Duka e De Biasi?

Më: 13 tetor 2015 Në ora: 10:50

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, në një intervistë për “Report TV”, duke folur për rinovimin e kontratës me trajnerin Giani de Biasi, nuk e përjashtoi mundësinë që shifrat të prishin marrëdhëniet mes palëve. Gjatë festës së organizuar në mbrëmjen e djeshme për Kombëtaren në hotel “Tirana International”, i pyetur për rinovimin e marrëveshjes, kreu i FSHF-së sqaroi: “Nga ana jonë ekziston vullneti për rinovimin e kontratës aktuale. De Biazi kuptohet se jo vetëm pas suksesit, por ai do të vazhdojë të jetë trajner.

Është me kontratë deri në qershor të vitit tjetër dhe më tej është vullneti dhe dëshira jonë që të vazhdojë. Mbetet për t’u përcaktuar vetëm numri që do të vendoset mbi letër, që nuk është një faktor i vogël. Pra, mund të na cenojë ndoshta edhe marrëdhënien tonë”, deklaroi Duka.
Më tej, presidenti i FSHF-së u shpreh i befasuar nga pritja që tifozët i rezervuan Kombëtares pas kthimit nga Armenia. Ai nuk e fshehu ambicien edhe për të kaluar grupin në Europianin e Francës, duke konfirmuar besimin që ka te ky grup futbollistësh, që bënë historinë. “Jemi befasuar nga entuziazmi i njerëzve dhe nga pritja e institucioneve. I falënderoj të gjithë për pritjen miqësore dhe mbështetjen që i kanë dhënë Kombëtares. Ky është një sukses historik dhe kam besim se i kemi vlerat për të shkuar në Francë me pretendime, duke marrë edhe kualifikimin në grup”, përfundoi Duka.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat