Ethet e Ligës Ballkanike, në hapje ndeshen ekipet e Kosovës

Sporti

Ethet e Ligës Ballkanike, në hapje ndeshen ekipet e Kosovës

Më: 13 tetor 2015 Në ora: 10:07

Përballja ndërmjet Bashkimit dhe Pejës që do të zhvillohet sonte me fillim nga ora 19.00 në palestrën e sportit në Prizren do të hap edicionin e ri në Ligën Ballkanike (BIBL).

Për skuadrën prizrenase ky është edicioni debutues në BIBL, ndërsa për pejanët ky është viti i tretë radhazi që marrin pjesë në këtë ligë, në të cilën në edicionin paraprak janë plasuar deri në gjysmëfinale.
Këto dy skuadra me traditë në basketbollin e Kosovës tashmë janë përballur me njëra-tjetrën në kuadër të edicionit të ri të Superligës së Kosovës, ku Peja është treguar më e mirë se Bashkimi dhe mu atë në Prizren.

Megjithatë trajnerët e të dyja ekipeve kanë deklaruar se tashmë e kanë “harruar” ndeshjen e parë dhe po mendojnë vetëm për duelin e së nesërmes, ku synojnë që të bëjnë lojë të mirë dhe të kënaqin adhuruesit e basketbollit të Kosovës.
Petar Mijoviç, trajner i Bashkimit: “Peja ka skuadër të fortë dhe këtë e ka dëshmuar në ndeshjen që e kemi luajtur në kuadër të kampionatit të Kosovës. Në përbërjen e saj Peja ka basketbollistë vendorë shumë të mirë, ku duhet veçuar Alban Veselin dhe Drilon Hajrizin, ndërsa edhe lojtarët e huaj i ka mjaft kualitativ, si amerikanët ashtu edhe kroatin Nenad Deliç.

Peja sivjet ka ekip shumë të fortë dhe mjaft mirë të komponuar. Megjithatë ne jemi përgatitur maksimalisht për duelin e të martës. E kemi analizuar takimin e parë ndaj tyre, ku kemi pësuar humbje, i kemi shikuar anët tona të forta dhe ato të dobëta, andaj nuk na mbetet tjetër veçse të hyjmë në ndeshje dhe të luajmë lojën tonë. Shpresoj në përkrahje maksimale të tifozëve dhe nëse kjo ndodh, atëherë edhe mund të ketë befasi në palestër”.
Branimir Paviç, trajner i Pejës: “Për ne çdo ndeshje është e rëndësishme, pa marr parasysh a bëhet fjalë për Ligën Ballkanike apo për garat vendore. E vërtetë është se kemi shënuar fitore ndaj Bashkimit para disa ditëve, por nuk ka qenë lehtë, sepse e kemi nisur mirë takimin, më pas kur është dashur që të vazhdojmë me të njëjtin ritëm, ne kemi çaluar dhe kështu rezultati në fund nuk ka qenë ai i prituri për ne, edhe pse shënuam fitore.

Për këtë arsye them se gjasat për triumf në ndeshjen e nesërme janë 50-50. Por ne na mbetet të tregojmë forcën tonë reale dhe të japim maksimumin për të dal kokëlartë nga ajo palestër, edhe pse nuk do të jetë aspak lehtë”.
Duhet theksuar se të pranishëm në ndeshjen hapëse të edicionit 2015/16 të Ligës Ballkanike (BIBL) do të jenë edhe zyrtarët më të lartë të kësaj të fundit, të cilët do të jenë të shoqëruar nga zyrtarët e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK).

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat