De Biasi ka qenë tejet i tensionuar

Sporti

De Biasi ka qenë tejet i tensionuar

Më: 9 tetor 2015 Në ora: 19:34

Gianni De Biasi ka qenë tejet i tensionuar në konferencën për shtyp. Arsyeja ka qenë e thjeshtë: pyetjet e gazetarëve kanë qenë të pamëshirshme dhe në disa raste edhe e kanë “provokuar” atë duke e pyetur nëse ndihej i pazëvendësueshëm.

Ai ka thënë se skuadra e tij u rrëmbye nga publiku në minutat e fundit, por ka pranuar se disa prej lojtarëve kanë probleme, shkruan Panorama Sport.

Trajneri i ka dalë në “mbrojtje” Canës kur është pyetur se përse nuk ka guxim ta lërë në stol edhe pse ka gabuar shpesh. Në fund është parë të largohet shumë i nervozuar nga konferenca.

Tjetër humbje në limit, ashtu si me Portugalinë edhe me Serbinë ndëshkohemi në fund…

Skuadra bëri një ndeshje të mirë në aspektin taktik ndaj një skuadre me lojtarë që luajnë në klube të mëdha europiane. Por, besoj se kur jemi në minutat e fundit duhet të kemi më shumë kujdes dhe sidomos në planin taktik, duke mos i dhënë hapësira kundërshtarit. Në dy rrethana na falën, por pavarësisht kësaj, ne nuk arritëm që të ndreqnim gabimet tona. Këtë gjë që e shfaqëm edhe në ndeshjen e kaluar, pasi edhe me Portugalinë bëmë të njëjtën gjë. Ekipi tërhiqet nga publiku. Por ajo që vlente sot (dje) ishte që ne të merrnim këtë pikë, pikë që do të ishte si “ar i çmuar” për në. Vazhdojmë të ndjekim instinktin dhe jo arsyen.

Ekipi tërhiqet nga publiku, por a mund të ndryshojë ky mentalitet?

Është një mentalitet tejet i vështirë që të ndryshohet. Është ajo që përmenda më parë, kur dëgjohet më shumë instinkti sesa arsyeja, besoj se nuk jemi në rrugën që të bëjmë hapa përpara. Mua më pëlqen zemra e madhe e këtyre lojtarëve, por zemra e madhe duhet të shoqërohet me trutë. Dhe nuk mund të tërhiqemi jashtë pozicionit dhe të bëjmë atë që nuk është më në mundësitë tona. Skuadra duhet të jetë më shumë ofensive, por këtë duhet ta bëjnë sulmuesit dhe jo lojtarët që janë në mbrojtje, pasi kështu krijohet disekuilibër në skuadër.

Sa shanse ka Shqipëria tani për t’u kualifikuar?

Nuk duhet të shkojmë në varrim pa vdekur ende askush. Bëmë gabime në minutat e fundit, sepse nuk punuam me tru, por me zemër. E megjithatë e kemi edhe një shans.

Keni bërë ndryshime të rëndësishme në formacion, por nuk keni guxuar të lini Canën jashtë, prej gabimeve të të cilit kanë ardhur 75% e humbjeve tona…

Unë kam hedhur në fushë futbollistët që më kanë bindur më tepër dhe që më kanë dhënë më shumë garanci. Lojtarët tanë dhanë maksimumin ndaj një kundërshtari më të fortë. Ju mendoni se skuadra ka shumë fantazi, por nuk është tamam kështu. Pjesa tjetër më pas është opinioni juaj dhe nuk kam asgjë për të shtuar.

Pse luajti Balaj dhe jo Cikalleshi titullar?

Sepse Balaj është më i fortë fizikisht dhe mund të përballej më mirë me kundërshtarin në dyluftimet që do të krijoheshin gjatë ndeshjes.

A mendoni se jeni i pazëvendësueshëm?

Më falni, nuk e kuptova pyetjen…

A e shikoni veten si të pazëvendësueshëm duke qenë se jeni edhe i suksesshëm?

Shikoni unë kam ardhur me përulësi këtu dhe kam punuar duke dhënë gjithçka nga vetja ime. Do të vazhdoj të punoj kështu si tani, me përulësi për aq kohë sa do të jem trajneri i kësaj skuadre. Për këtë të jeni të sigurt. Dua që të respektoni ndërkohë edhe punën që ka bërë ekipi deri tani.

A jeni i kënaqur nga forma e lojtarëve tuaj?

Kemi lojtarë që kanë probleme, por unë nuk mund t’i bëj publike ato, sepse kështu ndihmoj kundërshtarët tanë. Mos harroni, skuadra jonë është një fëmijë që ka nevojë të rritet.

Pse thoni respektoni punën e lojtarëve dhe jo punën e De Biasit?

Po ua them edhe njëherë se skuadra jonë ka nevojë të rritet dhe të përmirësohet. Po ju them gjithashtu se kualifikimin e kemi vetë në dorë dhe se do të bëjmë gjithçka mundemi.

Çfarë u thatë lojtarëve në minutat e fundit?

U thashë që të mos avanconin shumë, por u rrëmbyen nga publiku dhe nga dëshira për të fituar.

Po tjetër?

U thashë gjithashtu se duhej të merrnin sa më shumë faulle afër zonës së tyre. Në futboll jo gjithçka shkon sipas planit. Mos e harroni këtë. Gjithsesi, unë them se skuadra jonë luftoi si e barabartë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat