De Biasi, a lihet Gashi në bankë dhe ku janë golat?

Sporti

De Biasi, a lihet Gashi në bankë dhe ku janë golat?

Nga: Kemajl Goca Më: 9 tetor 2015 Në ora: 12:22

U zhgënjyem të gjithë. Na kaploi heshtja dhe dëshpërimi. Pësuam humbje në minutat shtesë që as laiku më i madh nuk e priste. Pikërisht në minutat shtesë (90+1 e 90+4) pësuam humbje 2:0 nga Serbia. Kështu humbën edhe nga Portugalia 1:0, po në minutën e 90+3’! A fitohet ndeshja pa sulmuar?

A shkohet gjithmonë me mbrojtje dhe me synim mos po japim një gol fatlum? Fati një herë, dy herë të përcjell, por gjithmonë nuk të ndjekë! Në opinion ka diskutime të ndryshme, dhe është një mllef i madh të të gjithë shqiptarët për këtë humbje, sepse kjo ndeshje ishte më shumë se futboll, kundër një Serbie që e kemi armik shekullorë. Shtrohet pyetja:

Pse Shqipëria nuk ishte aq kërkuese apo sulmuese në drejtim të portës së portierit Vladimir Stojkoviq. Pse nuk u fut Shkëlzen Gashi, një mesfushor-sulmues (së fundi i shndërruar në sulmues), apo siç njihet si lojtar i golit, që shënon nga pozita të vështira. Klasi i Gashit dihet shumë mirë, sepse është futbollisti më i mirë i shpallur në Zvicër. Një shënues më i mirë në kampionatin zviceran, ndërsa nuk pati vend kundër Serbisë, në një ndeshje të rëndësishme dhe historike apo si ta quaja e shekullit.

Giani de Biasi, pse e la në bankë Gashin? Gashi është një futbollist inteligjent dhe mjeshtër i golit, i cili di të gjuajë edhe nga një pozitë e vështirë apo siç thuhet në zhargonin sportiv edhe nga këndi i vdekur.

Po ky Gashi ka qenë edhe njeriu që e siguroi fitoren (2:1) ndaj Armenisë në minutën e 81-të. Nuk thuhet kot se lojtari i madh vetëm një rast i duhet dhe ta përfundon lojën. Kështu është Gashi, që e ka dëshmuar veten sa e sa herë në fanellën e kampionit të Zvicrës, Baseli por edhe me Shqipërinë.

Që nga fillimi i ballafaqimit Shqipëria qe pak e rrezikshme në sulm, me përjashtim të një rastit të Taulant Xhakës apo tentimit të Sokol Cikalleshit në minutën e 76-të. A fitohen ndeshjet gjithmonë vetëm me mbrojtje? De Biasi duhet të ndalet e të mendojë mirëfilli se çfarë po ngjan me të përzgjedhurit e tij, sepse plotë tri ndeshje nuk kanë shënuar gol. Ku janë golat i nderuari De Biasi?

Në Kopenhagë luajtën baras 0:0 me Danimarkën, pastaj në Elbasan humbën 1:0 nga Portugalia dhe së fundi nga Serbia. E dhimbshme apo jo, plotë 270 minuta nuk realizuam gol dhe fituam vetëm një pikë dhe pësuam tri gola. A është kjo për krenari?

Ku janë sulmuesit e Shqipërisë? Pse i japim luksin e tepruar kundërshtarëve që mos të ndjejnë rrezikun nga sulmi i kuqezinjve. U vërejt një Serbi që luante me aq komoditet në repartin e mbrojtjes dhe në mesfushë dhe fare nuk e ndjente presionin e sulmit shqiptar, sepse nuk ishin energjikë.

Kapiteni Lorik Cana e pranon në një mënyrë apo e mori përgjegjësinë se rreshtimi nuk ishte si duhet në mbrojtje! Po zotëri Cana, rreshtimi nuk ishte si duhet, por pësuam gol dhe nuk kishim kohë për rikuperim! Po i nderuari Cana, humbëm ku nuk duhet të humbim! Një pyetje shumë konkrete për De Biasin dhe Lorik Canën, pse po pësojmë gola në minutat shtesë? A është kjo e justifikueshme dhe ku është shkaku?

De Biasi ndonjëherë duhet ta lë në bankë ose ta pushojë edhe Canën, sepse nuk do të thotë se ai gjithherë duhet me qenë titullar apo i paprekshëm. Rrymës së Canës duket se i ka kaluar koha dhe duhet t’i jepet rasti edhe futbollistëve tjerë shqiptarë që kemi në Diasporë e në Shqipëri, sepse kemi shumë talent të shkëlqyer. Jo gjithmonë Cana të jetë titullar dhe mos ta ketë guximin ta lë në bankë, se sigurisht kemi futbollistë edhe më të mirë e energjikë se ai që luajnë pozitën e tij.

Gashi në bankë, Odise Roshi një sulmues i shpejt, edhe ai në bankë dhe mesfushori Alban Meha një goditës i fortë nga distanca, futet në lojë në minutën e 83-të! Në ndeshjen me Serbinë nuk kemi pasur edhe aq nevojë të mbrohem, kemi pasur nevojë të sulmojmë me të gjitha forcat, ta shtojmë presionin, sepse ka qenë ndeshje që u desh të lëmë shpirtin në fushë ose si thonë: O jetë o vdekje! Se askush nuk mund të na i merr vendin e tretë, sepse këtë pozitë që moti e kemi të garantuar.

Plus ishte edhe një përparësi tjetër, Portugalia qe në epërsi nga minuta e 66-të kundër Danimarkë, kjo ishte edhe një përparësi psikike për Shqipërinë. Në këto momente De Biasi u desh të kërkon ofensivë vetëm ofensivë dhe një lojë edhe më burrërore. Nuk ndodhi dhe nuk ndodhi. Shqipëria e kishte në stadiumin edhe lojtarin e 12-të, tifozët më të bukur ‘Tifozat Kuq e Zi”.

Jo vetëm në stadium por në të gjitha trojet shqiptare prisnin fitoren historike dhe kremten e madhe, por nuk ndodhi fatkeqësisht. Dhe minutat shtesë morëm hidhërimin, zhgënjimin dhe na mohuat gëzimin që do të quaja të shumëfishtë. Mos të harrojmë edhe Hamdi Salihin, një sulmues tipik, që ishte më meritori që Skënderbeun e dërgoi në fazën e grupeve të Europa League, edhe ai në bankë.

A është e logjikshme? Gashi, Roshi, Salihi ngrohën bankën, kjo është e dhimbshme. De Biasi gjithsesi duhet të jap llogari goxha fortë sepse 270 minuta pa shënuar gol, kjo nuk është mirë. Çfarë të kërkojmë më tutje? Ëndrra për kualifikim në Euro 2016 vazhdon, sepse kemi edhe një lojë tjetër në Jerevan të Armenisë, e cila luhet të dielën në orën 18.00.

Nuk shkohet në Jerevan me mentalitetin që të mbrohemi, atje duhet ta shkrijmë tërë energjinë, të sulmojmë dhe të sulmojmë, si thotë një fjalë e popullit: doli ku doli! Në Armeni mos të shkojmë me logjikën të marrim një pikë, fare nuk na duhet ajo, atje na duhen tri pikë dhe të jemi në Euro 2016, ndryshe duhet ta presim fatin në barazh kush po na del përpara!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat