De Biazi: Dëshira e publikut mundi logjikën, dua Europianin

Sporti

De Biazi: Dëshira e publikut mundi logjikën, dua Europianin

Më: 9 tetor 2015 Në ora: 09:30

Trajneri Xhani De Biazi ka qenë pothuajse i zhgënjyer në fund të ndeshjes. Duke i fajësuar të gjithë, kërkon nga ekipi reagimin në Armeni. Është një humbje e dhimbshme për të gjithë, një disfatë e pësuar në shtëpi nga Serbia nuk është për askënd e lehtë, padyshim edhe për një italian të shqiptarizuar si Xhani De Biazi. Gjithsesi emocionet mënjanë, për një profesionist edhe në momente të tilla është një analizë e shkurtër taktike e ndeshjes. Sindroma e pësimit të golit në fund po ndëshkon gjithnjë e më tepër kombëtaren, janë 6 pikë të lëna në shtëpi pikërisht prej saj, me golat ndaj Portugalisë dhe Serbisë që kanë ardhur pikërisht kur skuadra ka nxituar të luajë në sulm duke lënë pas hapësira.

“Me sa duket është një mentalitet që është shumë i vështirë për tu ndërruar te ekipi, duhet të jetë më i ekuilibruar. Ne hodhëm një ekip më sulmues, por atë detyrë duhet ta bëjnë sulmuesit jo mbrojtësit, duhet të përdorim dhe arsyen e logjikës. Pavarësisht se lojtarët kanë një zemër të madhe duhet t’i besojmë logjikës. Një dhimbje që na djeg pasi vjen në minutat e fundit ashtu si me Portugalinë, por mbi të gjitha vjen në momentin më të papërshtatshëm ku të gjithë prisnim të festonim në fund. Skuadra luajti mirë deri në momentin e pësimit të golave, por ishte vetëm një episode që na ndëshkoi.

Në momentin që kemi rënie fizike, ndaj dhe duhet të përmirësohemi në këtë aspekt. Skuadra luajti mirë taktikisht për 85 minuta. Kundërshtarët kishin shumë lojtarë të mirë që luajnë në nivele të mëdha dhe me skuadra të mëdha. Bëmë të njëjtat gabime. Ekipi u tërhoq nga publiku. Na ndodhi me Portugalinë. Ishte një pikë e artë që e kishim në duar. Ekipi do të jetë i ekuilibruar. Nuk mund të hidhemi të gjithë përpara. Duhet ta kemi logjikën para zemrës. Më pëlqen që lojtarët kanë zemër të madhe. Tashmë duhet të analizojmë situatën dhe të ndreqim gabimet. Bëjmë gabime të cilat nuk na falen. Me Kaçen pata një moment nervozizmi, por mendoj se bëri një ndeshje të mirë. Duhet të ndryshojmë komplet lojën me Armeninë dhe të fitojmë pasi është një mundësi që kësaj here nuk mund ta lemë të na ikë. Duhet të bëjmë maksimumin dhe të zhvillojmë një ndeshje të madhe. Kur hedh në fushë lojtarë të freskët natyrisht pres shumë nga ata.

Duhet të pyesim veten se pse na ndodh kjo në minutat e fundit. Ne duhet të tregohemi të kujdesshëm për të mos pësuar gol në minutat e fundit. Një pritje e Berishës ishte një kambanë alarmi, sot duhet të pyesim veten për ato gabime dhe të vendosim pikat mbi “i”. Edhe pas këtij rezultati kemi mundësi për të fituar një 3 pikësh për të arritur ëndrrën që duam të gjithë, por duhet të rikuperohemi”, është shprehur trajneri i kuqezinjve pas ndeshjes. Italiani është parë shumë i zhgënjyer për këtë rezultat. Nga ana tjetër trajneri serb, Radovan Curcic ka thënë se kombëtarja serbe kishte ardhur për fitore në Shqipëri, dhe është i lumtur për këto tre pikë të marra në “Elbasan Arena”. "Ne e kemi ditur se çfarë dëshironim. Fitorja ishte si rezultat i punës në tre ditët e fundit. Ne jemi në procesin e krijimit dhe kishim nevojë për një fitore të tillë", tha Çurçiç për RTS.

Nderi - Surpriza dhe një dhuratë për Shqipërinë vijnë nga ndeshjet eliminatore të Euro 2016 ku Portugalia siguron një biletë për në Francë, ndërsa Gjermania e shtyn zyrtarizimin e kualifikimit për sfidën e fundit kundër Gjeorgjisë. Danimarka e Kristiano Ronaldos i dhuroi një asist Shqipërisë me një sukses të ngushtë 1-0 ndaj Danimarkës duke e mbajtur në lojë për një kualifikim direkt skuadrën kuqezi. Luzitanët e shënuan golin e vetëm të takimit në minutën e 66 me autor Joao Moutinhon, i cili dribloi qetësisht në zonën kundërshtare duke kaluar portierin Schmeikel. 90 minutëshi i Bragës rrezikoi të zhbllokohej disa herë që në pjesën e parë nga të dyja skuadrat që kërkuan disa herë golin dhe pavarësisht një shtylle të nordikëve në fillimin e pjesës së dytë, vendasit gjetën rrugën e rrjetës duke siguruar edhe kualifikimin për në Euro 2016 si skuadra e parë e Grupit I.

Cana: Marr vetë përgjegjësinë

Kapiteni kuqezi Lorik Cana, merr përsipër humbjen dhe fajin në emër të ekipit. Sipas tij ky është një gabim i madh dhe një plagë për shqiptarët. “Është hera e dytë që pas ndeshjes me Portugalinë që pësojmë golin në fund. Nëse nuk e kishim edhe fuqinë dhe freskinë s’duhet të kishim pësuar. Duhet t’i thoshim dhe trajneri i pari duhet t’i thoshte që të mos ikim përpara. Nuk e zbatuam mjaftueshëm. Me kap rezultatin. Ekipi tregoi një dëshirë të jashtëzakonshme me e fitu lojën dhe kjo na penalizoi shumë në minutat e fundit.

Duhet të kishim mjaftuar 0-0, që do të na çonte me dy rezultate në Armeni. E morëm vesh Portugalia duhet të kishte fituar nga tifozët. Na dha sinjalin që të rrimë me pozicion. E përsërita dy tri herë, mund ta marr edhe përgjegjësinë unë për humbjen duhet të isha më këmbëngulës që ti mbaja afër vetes dhe të mos i kisha lënë të dilnin në sulm. Nuk këmbëngulëm mjaftueshëm që të mos rrezikonim. Këto janë gabime që ne nuk i morëm. Me vjen keq, sepse në ato momente duhet të ishim më prezent. Është vështirë me i ndal lojtarët. Pas tre ditësh e kemi në dorë”, deklaroi Cana pas ndeshjes.

Serbët në festë: Hakmarrje për Dronin

Mediat në Serbi janë në festë pas fitores së skuadrës së tyre në ndeshjen kundër Shqipërisë në Elbasan Arena me rezultat 2-0. E përditshmja serbe “Kurir.rs” shkruan: “Serbia me golat e Kolarov dhe Ljajiç deklason Shqipërinë". Më e ashpër ishte “Blic.rs” e cila shkruan për festimin në “Elbasan Arena”. “Shok në Elbasan, shqiponjat serbe fitojnë midis Shqipërisë”. Ndërsa B92 ishte më e shkurtër, duke shkruar: “Serbia deklason Shqipërinë”.

“Kurir”: Ekipi kombëtar i Serbisë triumfoi në Elbasan kundër Shqipërisë në ndeshjen e vlefshme të Grupit I për eliminatoret e Kampionatit Europian, ku Aleksandër Kolarvo shënoi në minutën e 91′ dhe Adem Ljajiç shënoi në minutën e 94′. “Shqiponjat” ishin më mirë në çdo moment dhe meritonin të fitonin, edhe pse golat erdhën në minutat shtesë. I vetmi rast që shqiptarët u kërcënuan ishte minuta e 38′ kur Ljajiç çoi topin në rrjetë, por albitri Rizzoli e anuloi për një faull të Tosiç mbi portierin. Së fundmi, ky është një triumf i merituar për të zgjedhurin Radovan Çurçiç. Për Serbinë kjo fitore nuk do të thotë asnjë në kushte konkurruese, pasi ka humbur kohë për tu kualifikuar në Euro 2016, por në një farë mënyrë kjo është një hakmarrje ndaj Shqiptarëve “për dronin e futur”. Nga ana tjetër ekipi i De Biazit ka edhe një shans në dorë, pasi një fitore me Armeninë të dielën do t’i çonte drejtpërdrejtë ne Europian.

“Blic”: Ekipi Kombëtar serb i futbollit mundi 2-0 Shqipërinë në Elbasan, duke lënë më shumë se një përshtypje të mirë në një lojë me rrezikshmëri të lartë dhe kundërshtari ynë “shqiponjat” nuk ishin aq të rëndësishme. Serbët e kanë humbur mundësinë për t’u takuar në Europian, ndërsa për të zotët e shtëpisë ky ishte rasti për të bërë një hap përpara drejt “Euro 2016″. Pas të gjithë ankthit të kaluar nga lojtarët tanë para lojës dhe pas ndërprerjes së ndeshjes në Beograd për shkak të “dronit”, kjo nuk ishte një gjë e vogël për të parandaluar kremtimin e fitores së tyre.

“B92”: Serbia leksion Shqipërisë ekipi kombëtar i futbollit serb mundi Shqipërinë në Elbasan me rezultatin 2-0 në ndeshjen e parafundit të eliminatoret për Kampionatin Europian të vitit 2016. Ekipi ynë ka vendosur të ‘hakmerret’ për ndeshjen e cila për shkak të rivalitetit mes dy vendeve dhe skandaleve në ndeshjen e parë në Beograd ka qenë në qendër të vëmendjes. Së pari, Aleksandër Kolarov goditi në minutën e 91 pas një asis të përsosur nga Adem Ljajiç dhe tre minuta më vonë, Ljajiç shënoi me një kundërsulm të shkëlqyer dhe realizoi me goditje mjeshtërore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat