Shqipëria, o sot o kurrë duam fitore kundër Serbisë

Sporti

Shqipëria, o sot o kurrë duam fitore kundër Serbisë

Nga: Kemajl Goca Më: 8 tetor 2015 Në ora: 09:59

Fitore dhe vetëm fitore kundër Serbisë. Kombëtarja e Shqipërisë është e mobilizuar në të gjitha aspektet dhe pretendon fitore në përballje me Serbinë, në ndeshjen e vlefshme të grupit I të eliminatorëve për Euro 2016. Gjithçka frymon kuqezi dhe kudo që janë shqiptarët e presin me padurim përballjen historike, Shqipëri-Serbi.

Sonte në orën 20.45, në stadiumin “Elbasan Arena”, Shqipëria përballet me Serbinë, sfidë e vlefshme për Euro 2016. Shqipëria shumë afër ëndrrës, kualifikimit në Kampionatin Europian. Shqipërinë me siguri e ndan një 90 minutësh larg Francës në rast të fitores dhe dështimit të Danimarkës.

Të gjithë janë optimistë se tri pikët historike do të mbesin në Elbasan. Në të gjitha anët është një organizim i shkëlqyeshëm për këtë sfidë të madhe, një atmosferë e zjarrtë dhe të gjithë me një synim: Ta mposhtim Serbinë. Shqipëria ka mbrojtjen më të mirë pothuajse në Europë, më së miri e dëshmon për gjashtë ndeshje ka pësuar vetëm tri gola ose më së paku në grup. Një rrugëtim interesant i Shqipërisë, e cila në hapje të grupit I në Aveiro pati tronditur Portugalinë, kur e mposhti me rezultat 1:0. Kjo fitore e madhe është arritur me 7 shtator të vitit 2014, ndërsa me 11 tetor (2014) në “Elbasan Arena” përfundoi takimi 1:1 me Danimarkën. Me 14 tetor të vitit të kaluar, ndeshja Serbi-Shqipëri, u ndërpre, pasi që bishat serbe (shovinistët- tifozët serb) futen në fushë dhe sulmojnë me karrige, grushte e shqelma futbollistët e kombëtares së Shqipërisë.

Ndeshja u ndërpre në minutën e 41-të, kur rezultat ishte 0:0, ndërsa Komisioni i Arbitrazhit Sportiv (CAS) ndeshjen e ndërprerë e vendosi me rezultat zyrtar 3:0 në favor të Shqipërisë. 14 tetorit nuk do të harrohet kurrë kur në midis të stadiumit të Partizanit të Beogradit fluturoi droni me flamurin e Shqipërisë Etnike dhe portretet e patriotëve tanë: Ismajl Qemaili dhe Isa Boletini. Me 29 mars të vitit 2015, Shqipëria në Elbasan shënoi fitore të madhe me rezultat 2:1 kundër Armenisë, pastaj me 4 shtator në Kopenhagë u nda baras (0:0) me Danimarkën.

Pas tri ditëve (me 7 shtator) në Elbasan pësuan humbjen e parë e të pamerituar me rezultat 1:0 nga Portugalia. Kjo humbje vjen për shkak që fati sportiv na ktheu shpinën në minutat e fundit (90+3’).

Gjashtë ndeshje, 3 fitore, dy barazime e 1 humbje, zënë vendin e tretë me 11 pikë, një më pak se Danimarka që klasifikohet e dyta dhe katër më pak se Portugalia që është e para. Shqipëria kërkon tri pikë të rëndësishme, fitore historike, tri pikë që do ta bëjnë të lumtur tërë kombin shqiptar. Shqipëria, o sot o kurrë duam fitore. Ja përbërja e mundshme e Shqipërisë: Berisha, Hysaj, Cana, Ajeti, Agolli, Kukeli, Abrashi, Xhaka, Gashi, Meha dhe Cikalleshi.

Ndeshjet, sonte
Grupi I

Shqipëria-Serbia 20.45
Portugalia -Danimarka 20.45

Grupi D
Gjeorgjia-Gjibraltari 18.00
Irlanda-Gjermania 20.45
Skocia –Polonia 20.45

Grupi F
Irlanda V.-Greqia 20.45
Hungaria-Ishujt Faroe 20.45
Rumania-Finlanda 20.45

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat