Sonte në Elbasan ndeshja Shqipëri-Serbi

Sporti

Sonte në Elbasan ndeshja Shqipëri-Serbi

Më: 8 tetor 2015 Në ora: 07:21

Shqipëria dhe Serbia do të përballen sonte në futboll, në stadiumin Elbasan Arena.

Kjo do të jetë ndeshja kthyese e Grupit I, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian të Futbollit – Euro 2016.

Loja ka zgjuar interesim të madh, pasi fitorja eventuale i shton gjasat e kombëtares shqiptare për t’u kualifikuar.

Policia shqiptare ka thënë, në prag të ndeshjes, se ka ndërmarrë masa të rrepta të sigurisë, duke shpërndarë mbi 2,000 policë dhe duke mbyllur rrugët përreth stadiumit në Elbasan.

Tifozët do të duhet të tregojnë kartat e identifikimit dhe do të kontrollohen nga policia përpara se të hyjnë në stadiumin Elbasan Arena.

Të mërkurën, është raportuar se policia shqiptare ka arrestuar disa tifozë shqiptarë që janë gjetur me armë dhe se autobusi që bartte ekipin serb është goditur me gurë.

Ndeshja e parë midis Shqipërisë dhe Serbisë, e cila është zhvilluar vitin e kaluar në Beograd, është ndërprerë, pasi një dron që mbante flamurin e “Shqipërisë së madhe” ka fluturuar mbi stadium.

Ky incident ka shkaktuar grindje diplomatike midis Shqipërisë dhe Serbisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat