​Serbët konfirmojnë incidentin me gurë: Pati një sulm, por pa dëme

Sporti

​Serbët konfirmojnë incidentin me gurë: Pati një sulm, por pa dëme

Më: 7 tetor 2015 Në ora: 23:22

Kombëtarja serbe ka mbërritur në Tiranë mbrëmjen e kësaj të mërkure dhe është akomoduar në Hotel Sheraton.

Delegacioni i Federatës Serbe të Futbollit është nisur nga Beogradi rreth orës 16:45 dhe mbërriti në aeroportin “Nënë Tereza” të Tiranës rreth orës 17:49. Forca të shumta policie i kanë pritur dhe shoqëruar gjatë gjithë kohës futbollistët serbë. Ata janë pritur në aeroport edhe nga Ambasadori i Serbisë në Shqipëri Miroljub Zaric.

Edhe pse masat e sigurisë ishin në nivelet maksimale, aq sa në rrugë nuk lejoheshin të qarkullonin as makina dhe as njerëz, sërish nga pala serbe pati pretendime se rrugës për në Rinas autobusi i tyre u qëlluan me gurë.

Sipas mediave serbe, autobusi i ekipit serb është qëlluar me gurë dhe se i janë thyer disa xhama, por nga sulmi nuk ka pasur asnjë të lënduar.

Policia shqiptare nuk ka dalë ende me një pohim zyrtar, por po verifikon dhe heton rastin në fjalë.

Kombëtarja e Serbisë sonte pas arritjes ka dalë në një konferencë për shtyp ku u është përgjigjur pyetjeve të medias shqiptare dhe serbe. Lidhur me incidentin e gjuajtjes me gur përfaqësuesi i Federatës Serbe të Futbollit tha se sulmi qe i vërtetë, se autobusi u qëllua me gurë, po fatmirësisht nuk pati dëmtime.

“Në fillim dua të tregoj për një incident të vogël rrugës kur po ktheheshim në Tiranà «, diku në mes të rrugës, kishte një sulm me disa gurë nga të cilët njëri ishte pak më i madh por që nuk pati ndonjë dëm, pastaj reagoi shumë shpejt policia shqiptare dhe kur arritëm pati një mbledhje kryesia me policinë shqiptare dhe mendoj që për momentin gjithçka është në qetësi. Presim edhe nga Federata Shqiptare të vijnë njerëz dhe të jemi në kontakt," tha përfaqësuesi i Federates Serbe.

Ndërkohë trajneri i skuadrës serbe Radovan Çurçiç tha se do mundohen të mos mendojnë për gjë tjetër në fushë, por vetëm për lojën. Sa i përket formacionit të përfaqësueses së Serbisë, trajneri serb tha se, “formacionin do ta shihni nesër në fushë”.

Sa për motivimin e lojtarëve, ai tha se, “ka qenë shumë e lehtë t’i motivosh futbollistët për këtë ndeshje”.

"Do mundohemi të mos mendojmë për gjë tjetër në fushë, por vetëm lojën. Sa i përket forma cionit të përfaqësueses së Serbisë, do ta shihni në fushë. Përfaqësuesja serbe mendon vetëm për futboll dhe për asgjë tjetër në këtë ndeshje. Sa për motivimin e lojtarëve, ka qenë shumë e lehtë t’i motivosh futbollistët për këtë ndeshje. Skuadra jonë do të hyjë në fushë për fitore, por edhe Shqipëria është një ekip i fortë dhe jo më kot është aty ku është sot”, tha ai.

Kapiteni i kombëtares serbe, Ivanoviç theksoi se futbollistët serbë nuk presin duartrokitje nga tifozët shqiptarë, ndërsa tha se ka pritshmëri të mira për performancën e lojtarëve gjatë ndeshjes në “Elbasan Arena”. Në konferencën për mediat, kapiteni serb tha se kjo ndeshje i kalon caqet e futbollit, por futbollistët kanë ardhur vetëm për të luajtur futboll.

Kapiteni serb shtoi se ky rast është rasti më i mirë për të ndryshuar mentalitetin mes dy popujve në Ballkan.

“E dimë që kjo ndes hje i tejkalon pak suazat e sportit, por ne do mundohemi të luajmë futboll, të dimë si, dhe në të njëjtën mënyrë ta fitojmë këtë ndeshje. Trajneri i Kombëtares shqiptare është një Italian dhe mendoj se ai ka bërë një përgatitje psikologjike si dinë vetëm ata. Nuk them se jemi dyfish më të fortë, atë duhet ta tregojmë në fushë,'' tha Ivanoviç.

Bëhet me dije, se futbollistët serbë do të qëndrojnë të izoluar nën masa të rrepta sigurie në hotel “Sharaton”, ku edhe u akomoduan. Madje mësohet se kombëtarja e Serbisë nuk do të zhvillojë asnjë seancë stërvitore në tokën shqiptare. As në stadiumin “Qemal Stafa” që ka pranë hotelit, por skuadra e Çurçiçit, do të shmangë edhe njohjen me terrenin e “Elbasan Arenës”.

Të enjten, sipas rregullores së UEFA-s, dy orë para fillimit të ndeshjes, ata do të jenë direkt në stadiumin “Elbasan Arena”, natyrisht të shoqëruara nga esko rta të sigurisë dhe policisë shqiptare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat