Berisha: Iu anuluan biletat 2800 tifozëve kuqezinj

Sporti

Berisha: Iu anuluan biletat 2800 tifozëve kuqezinj

Më: 7 tetor 2015 Në ora: 17:19

Për ndeshjen Shqipëri-Serbi ka reaguar edhe ish-kryeministri Sali Berisha. Lideri historik i demokratëve pretendon se po iu anulohen biletat dhe e drejta e hyrjes nesër në stadium mijëra tifozëve kuqezinj, ndërkohë që kapaciteti i “Elbasan Arena” është diku te 12700 vende. Pra, nuk i merr të gjithë, nuk përmbush mbi 150 mijë kërkesa për bileta, që ka pasur për këtë derbi ballkanik, sipas presidentit të FSHF-së, Armand Duka.

“Të dashur miq, Edi Rama, në mënyrën më absurde ka urdhëruar anulimin e biletave të mijëra e mijëra tifozëve kuq e zi, me motivin e sigurisë për ndeshjen. Si pretekst për këtë vendim absurd dhe antiligjor të qeverisë ka shërbyer fakti se nga kontrolli i emrave, 2800 blerësve kuqezinj të biletave, 200 prej tyre nuk ishin emra realë. Pra, qeveria, për shkak të 200 fansave, që kishin blerë biletat me emra të tjerë, ndëshkoi në mënyrë absurde jo vetëm këta, por edhe 2600 të tjerë, të cilët i kishin blerë biletat me emrat e tyre të vërtetë.

Numri i tifozëve të zjarrtë kuqezinj do të jetë i kufizuar kësaj here, biletat i ka marrë administrata shtetërore
Ky është një akt shumë i rëndë dhe arbitrar ndaj mijëra djemve dhe vajzave, që kanë sakrifikuar aq shumë prej vitesh, materialisht dhe fizikisht, për të mbështetur kombëtaren tonë në mbarë stadiumet e Europës. Zëvendësimi i tyre me militantë partiakë, brenda dhe jashtë administratës, që nuk kanë shkelur ndonjëherë në stadium, është goditje e rëndë jo vetëm për fansat kuqezinj, lëvizjen e tyre sportive të qytetëruar, jetike për suksesin e ekipit tonë, por është edhe një privim absurd i kombëtares nga energjia e madhe e zjarrtë, që çlirojnë dhe induktojnë në mbështetje të lojës së tij.

Ata nuk mund të zëvendësohen kurrë për entuziazmin e tyre, sado që të shtiren në stadium militantët partiakë, as burokratët e qeverisë! Duke dënuar me ashpërsinë më të madhe këtë vendim arbitrar të qeverisë, i bëj thirrje Prokurorisë së shtetit të ndërhyjë me urgjencë për bllokimin e këtij urdhëri të turpshëm dhe arbitrar, që ka lënduar shumë fansat kuqezinj dhe lëvizjen e tyre energjizuese të futbollit shqiptar! Urime ekipit tonë! Fitoreee!” – shkruan Sali Berisha në mesazhin e vet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat