Duka: Serbia vjen për futboll, jo për luftë

Sporti

Duka: Serbia vjen për futboll, jo për luftë

Më: 6 tetor 2015 Në ora: 09:04

Kjo është padyshim java më e rëndësishme e historisë së futbollit shqiptar, ku për herë të parë përfaqësuesja jonë ka mundësinë e kualifikimit për në Europian, fati i së cilit vendoset në përballjen me Serbinë ditën e enjte dhe me Armeninë në transfertë ditën e diel.

Masat ekstreme të sigurisë për ndeshjen e 8 tetorit kanë larguar fatkeqësisht vëmendjen nga ky kufi historik i futbollit shqiptar. Në një intervistë ekskluzive për Top Channel, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka tregon gjithçka po paraprin ndeshjen kaq të rëndësishme kundër Serbisë.

“Të gjithë bashkë kemi kritikuar ekstremisht atë që ndodhi në Beograd. Nëse mendojmë që fusha e futbollit është një fushë hakmarrjeje, gabojmë rëndë. mohojmë veten tonë dhe gjithë kritikat që kemi bërë. Nuk mund të përdoret futbollit për asnjëlloj qëllimi tjetër. Është një ekip kombëtar dhe futbollistët e të gjitha kombëtareve janë misionarë paqeje dhe ne duhet t’i presim si të tillë”, deklaron Duka.

Masat e tilla të sigurisë fshehin një frikë të brendshme ndaj diçkaje jo të këndshme, që edhe pse nuk është specifike, po merren të gjitha masat, duke lënë disi në dorë të dytë nivelin e lartë teknik të përfaqësueses serbe.

“Ekipi që kemi përballë është një ekip shumë i mirë dhe i druhem shumë faktit që po e shpërqendrojmë vëmendjen nga loja dhe po e çojmë në gjëra që ne nuk na interesojnë”, thotë Duka.

Presidenti i federatës serbe, në një deklaratë për mediat vendase ka theksuar faktin se në Shqipëri janë të përgatitur për gjithçka dhe nga ana tjetër uronte që Shqipëria të mos kualifikohet.

“Unë nuk do të thoja për asnjëlloj kombëtarja tjetër që uroj të mos kualifikohet. Nëse është thënë, është thënë gabim ose një deklaratë e momentit, rrëshkitje”, thotë Duka.

Një çështje e shumëpërfolur mbetet ajo e serbëve të pranishëm në "Elbasan Arena", që sipas presidentit Duka është një tjetër abuzim këtyre ditëve.

“Është një marrëveshje dypalëshe fikse me të njëjtat numra siç kemi qenë ne atje, madje më pak do të jenë edhe ata këtu. Ne nuk kemi vënë në dispozicion asnjë biletë më tepër se ç’na dhanë ata atje. Do jetë një numër i kufizuar i sponsorëve dhe delegatëve dhe kaq”, shton Duka.

Sa i përket biletave të tifozerive, presidenti Duka thotë se FSHF vazhdon një bashkëpunim shumë të mirë me grupimin e “Tifozëve Kuq e Zi”, i konsideruar si i vetmi grupim që mbështet nga ana sportive përfaqësuesen. Edhe për këtë ndeshje ky grupim sipas presidentit ka marrë 2100 bileta, si në çdo takim. Sa i përket abuzimeve për tregun e zi, Duka nuk e konsideron si përjashtim absolut këtë fakt.

Ndërkohë, për presidentin Duka kualifikimi apo eliminimi i përfaqësueses sonë nga objektivi madhor i Europianit, varet vetëm nga mbrëmja e 8 tetorit.

“E vetmja gjë që mund të na eliminojë ne, është që nëse eliminojmë veten tonë përmes sjelljes në Elbasan”, sqaron presidenti i FSHF-së.

Kohët e fundit FIFA po kalon një moment shumë të vështirë me çështjet e korrupsionit dhe akuzave ndaj presidentit Joseph Blater, një situatë e tensionuar që ka përfshirë edhe UEFA-n, por me sa duket organi i futbollit europian dhe aq më pak federatat e saj, nuk kanë asnjë prekje nga kjo gjendje, përkundrazi, po mendohet për të ardhmen e Mishel Platinisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat